AKTUALITET, 23 Prill 2022, 21:45

Pas inaugurimit të stadiumit të Kukësit, Rama: Presim sërish projekte dhe investime të tjera

Pas inaugurimit të stadiumit të Kukësit, Rama: Presim sërish

Sonte u inaugurua impianti i ri sportiv i Kukësit. I pranishëm ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili dha një intervistë në pushimin e takimit të kuksianëve me Laçin. Rama shprehet se “Kukës Arena” nuk do jetë investimi i vetëm pasi do ketë edhe të tjera, por nuk preferon të përmendë diçka konkrete. Kështu, Rama le të kuptohet se dëshira për të bërë mirë në sportin shqiptar është e madhe.

“Ajo që po i thosha presidentit të FSHF-së kur hymë në stadium ishte që impiantet e reja moderne me të gjitha kushte optimale e ndryshojnë edhe përmbajtjen e ndjekësve të ndeshjeve. Shikon vajza, familje që janë së bashkë me djem e burra që janë ndjekës të zakonshëm futbolli dhe ndjen frymëmarrjen shumë më paqësore dhe sociale të stadiumit.

Nga ana tjetër nuk diskutohet që është një moment i bukur pasi mbaron një punë që pati vështirësitë e veta për shkak të pandemisë, të gjithë problematikave që janë shfaqur së fundmi me industrinë e ndërtimit, etj, etj.

Por nga ana tjetër kjo mbaroi dhe ne duhet të shohim për më tutje dhe më shumë, nuk diskutohet. Ajo që ka rëndësi është që puna për futbollin në Kukës nuk duhet të ndalet thjesht te stadiumi, por edhe fusha e stërvitjes, si dhe dy fusha të tjera që me mbështetjen e federatës po ndërtohen që t’i jepet mundësia ekipeve zinxhir e fëmijëve të përfshihen në lëvizjen futbollistike.

Nga ana tjetër ne si qeveri me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si dhe me Ministren për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me KOKSH, po nxisim dhe besoj shumë shpejt do të shohim frytet e para të një lëvizje sportive në shkolla me skuadrat e lojërave me dorë, volejboll e basketboll. Sepse sporti ka të gjithë të mirat që nuk ka nevojë t’i numërojmë këtu, por ka nevojë edhe për mbështetje dhe koordinim të të gjithë institucioneve.

Në fund dua të mbyll me dëshirën, ambicien e bindjen, që siç kemi bërë këto 4 stadiume, do të vijojmë të ndërtojmë. Jo stadiumin e radhës se nuk e kemi vendosur ende se ku do të bëjmë investimin e radhës bashkë me federatën, por presim sigurisht edhe projektet dhe iniciativa të drejtuesve, sponsorëve, pronarëve të klubeve, sepse përndryshe, nuk është e thjeshtë të ndërtohet një stadium. Gjithsesi, ky vit shënon një kulm për aktivitetin sportiv në historinë e vendit tonë, pasi për herë të parë në histori, do të mirëpresim një finale europiane të futbollit në “Air Albania”. Diçka e paimagjinueshme deri para disa vitesh kur ekipi kombëtar ishte i detyruar të emigronte se nuk kishte shtëpinë e tij. U bë realitet për ekipin kombëtar, për kampionatin dhe tani është realitet për futbollin europian” – tha ai.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka u shpreh: “Sot është ditë historike për futbollin shqiptar se inaugurohet një vepër madhore. Kemi shumë pak memorie, vetëm 8 vite më parë Shqipëria vuante për një impiant për ndeshje ndërkombëtare, sot kemi plot katër, falë një bashkëpunimi shumë të mirë të federatës me qeverinë.

Unë do të doja të falënderoja kryeministrin dhe ministren për mbështetjen, me fonde dhe gjithçka për ndërtimin e këtij stadiumi. Në të njëjtën kohë, kryetarin e bashkisë, presidentin e futbollit, që në një farë mënyrë e ka merituar që të vijë ky investim në Kukës, është meritë personale e Safet Gjicit.Kukësi kishte pak histori, e nisi me një ekip që nderoi futbollin shqiptar, me rezultate detyroi të gjithë të kthenin sytë nga Kukësi se e meritoi.Puna nuk do të ndalet, investime do të ketë edhe në stadiume te tjera dhe fusha futbolli. Kjo vepër e sotme është pjesë e një eventi të madh që është finalja e Ligës së Konferencës, që është një event madhor për futbollin europian dhe Shqipërinë se është hera e parë që organizon një event të tillë.

Uroj që t’ua shpërblejmë tifozëve me një tjetër sukses. Shqiptarët vdesin për futbollin dhe e meritojnë mbështetjen me këto impiante dhe fusha futbolli. Është bërë shumë, por duhet edhe më shumë. Falënderojmë kryeministrin, ministren dhe kryetarin e bashkisë për realizmin e këtij objektivi”.