TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Analisti Andi Bushati ka debatuar me analistin Mentor Nazarko në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, lidhur me shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.
Bushati tha se "shkatërrimi" i Erion Veliajt brenda dy javësh, ishte i gjithi i dirigjuar nga Edi Rama dhe faktet e tregojnë këtë edhe pse ende motivi i Ramës është i paqartë. Ndërsa Mentor Nazarko, nuk e ndan të njëjtin mendim, se Rama qëndron pas goditjes ndaj Veliajt, pasi sipas analistit, Veliaj nuk përbënte rrezik për pushtetin e Ramës.
Debati:
Andi Bushati: Po ta kaloj me një frazë, sepse ka një precedent të Saimir Tahirit. Bëri pak burg, por ruajti pasurinë. Kur ke ç'të humbësh duhet të dish të heshtësh. Ky mund të jetë rasti i Veliajt. Çfarë ka ndodhur? Po të bëjmë një kronologji të shkurtër. Në 9 shtator SPAK e çon në gjykatë. Në 11 shtator Rama thotë do ta shkarkojmë, në 17 shtator, mbledh grupin dhe thotë shkarkojeni. Pastaj tre ditë më pas, në Këshill Bashkiak mblidhen dhe votojnë pa e dëgjuar. Dy ditë më pas Rama e firmos. Një njeri që ka qeverisur 10 vjet Tiranën, shkatërrohet me urgjencë në dy javë. Këto tregojnë se nuk janë rastësi dhe skemën e drejton një njeri i vetëm. Këto 7 data nuk përkojnë dot, por bëhen me bilbilin e një njeriu. Tani, thonë si argument, nuk rri dot Tirana pa drejtues. Qytetarët e Tropojës dhe Peqinit e meritojnë? Vlejnë më pak? Që Rama atje nuk shpall zgjedhje. Ky argument bie. Argumenti që ka tre muaj që nuk është në detyrë bie, sepse direkt sa mbushi tre muaj e kërkoi opozita dhe ata e hodhën poshtë.
Ka një interes që duhet bërë tani me urgjencë dhe është mobilizuar gjithë shteti dhe SPAK për ta ekzekutuar Veliajn. Pse? Nuk e di, por ama duket qartë që e gjithë kjo është një rrëshkitje dhe goditje e planifikuar dhe dirigjiuar nga një njeri i vetëm. Nuk mund të bëhej kjo pa i fryrë bilbilit një njeri i vetëm.
Mentor Nazarko: Nëse në të gjithë këto hapa qëndron Rama, duhet të kuptojmë motivin e Ramës. Ishte ai kërcënim i hapur për pushtetin e Ramës? Nuk e shoh këtë. Ai nuk është kërcënim për Ramën.
Andi Bushati: Unë rendis faktet, nuk e di qëllimin, mund të jetë banal fare, ka dashur ti marrë gruan… Ta thashë për ta vulgarizuar, mund të jetë i gjithëfarësoj. Bëjmë një paralele me komunizmin, ne themi çfarë i duhej Enverit të eleminonte Mehmetin se besnik e kishte? Kjo nuk na pengon të themi, e eleminoi apo jo? Pastaj këtu hyn në hipoteza, çfarë i duhej.
Mentor Nazarko: Nuk e pranoj që në të gjithë hapat është ai ideatori. Nuk e besoj se ai komandon SPAK-un. Po të ishte se e komandon SPAK-un, do të kishim angazhim të SPAK në fronte të tjera. E dyta, nuk shoh arsye imediate se përse do ta godiste Erion Veliajn. Veliaj nuk përfaqëson rrezik për Ramën, nuk i kërcënon pushtetin. Korrupsioni në Bashkinë më të madhe nuk pati impakt në zgjedhje.
Andi Bushati: Në Shqipëri, ata që duan të mbrojnë një krim, këtë alibi përdorin. Çfarë i duhej Berishës të vriste në 21 janar? Puna është vrau apo jo? Ne duhet të marrim faktet.
Mentor Nazarko: Unë nuk them që urdhrin e dha Berisha.
Andi Bushati: Problemi është ky, mos merremi çfarë i duhej Ramës, që të godiste Veliajn. Këtë nuk e dimë. Ke të gjithë ansamblin. Veliaj, sipas ligjit firmos dhe thotë dua këtë Sara Goxhajn. E merr Rama në burg dhe i gris letrat dhe vë tjetrën. Në gjithçka ka një njeri që rri nga mbrapa që e do Veliajn të izoluar. Se pse nuk e di.
Mentor Nazarko: Duhet të kishte një arsye të qartë.
Andi Bushati: Çmenduria e autokratëve nuk shpjegohet.
Mentor Nazarko: Masa kritike janë akuza e opozitës.