TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kanë mbërritur në gjykatë për t’u njohur me masat e sigurisë 13 të arrestuarit e operacionit “Trinomi”.
Prokuroria e Elbasanit dokumentoi implikimin e 28 personave, mes tyre gardianë, e zyrtarë të lartë të policisë së Burgjeve, si dhe të dënuar VIP.
Akuzat që rëndojnë ndaj tyre lidhen me futjen e lëndëve narkotike brenda ambienteve të burgut.
Në këtë veprimtari të paligjshme dyshohet të jenë përfshirë edhe biznesmenë lokalë. Operacioni i Policisë nisi pas hetimeve të kryera nga ana e prokurorit Kreshnik Ajazi.
Gjatë operacionit të gjerë, burimet thanë se janë ekzekutuar urdhër-arrestet të lëshuara nga drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit përreth 25 persona, 11 prej të cilëve, zyrtarë të Burgut të Peqinit.
Në këtë operacion janë përfshirë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Njësia Operacionale e Policisë së Shtetit. Urdhër-arrestet janë për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm”.
KUSH JANË TË BURGOSURIT “VIP”?
Midis personave të arrestuar janë edhe nëntë të burgosur, kryesisht në Burgun e Peqinit, atë të Elbasanit dhe në Korçë.
Midis të burgosurve të arrestuar është edhe Arben Grori, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit. Të burgosur të tjerë janë Aleksandër Sinanaj, i dënuar për një grabitje me maska të një banke në Vlorë, më 18 gusht të vitit 2011.
Aleksandër Llanaj është shpallur fajtor për vrasjen e tre të rinjve në prill të viti 2015 në Vlorë dhe është dënuar me burgim të përjetshëm e më pas me 35 vite burgim nga të tria shkallët e gjyqësorit në Shqipëri.
Në listën e të arrestuarve janë edhe të burgosurit Jan Grori, Aleksandër Sinanaj, Klajdi Gjeci, pjesë e bandës së Shullazit, i cili u kap në Tiranë për shitje narkotikësh në maj 2020.
SI NISËN HETIMET
Operacioni ka nisur që në vitin 2020, pas sinjalizimeve të dhëna nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve mbi futjen e sendeve të jashtëligjshme në sistemin e burgjeve në Elbasan, Peqin dhe në Korçë.
Sipas burimeve, nën hetim janë vënë zyrtarë, gardianë të burgjeve dhe familjarë të tyre. Përveç telefonave celularë, në qelitë e burgjeve janë futur edhe lëndë narkotike, pije alkoolike apo pajisje për luajtjen e lojërave të fatit.
Gjithashtu, burimet bënë me dije se të burgosurve u ofroheshin edhe shërbime të tjera ekstra, si ato seksuale, duke futur brenda ambienteve të burgut grave që nuk kishin lidhje familjare me të burgosurit.