AKTUALITET, 2 Dhjetor 2025, 13:31

Operacioni/ Policia bastis shërbimin diplomatik të BE e Kolegjin e Europës në Belgjikë, arrestohet Mogherini për mashtrim e korrupsion

Operacioni/ Policia bastis shërbimin diplomatik të BE e Kolegjin e

Policia belge bastisi shërbimin diplomatik të BE-së në Bruksel të martën, së bashku me Kolegjin e Evropës në Bruges dhe shtëpi private, si pjesë e një hetimi mbi keqpërdorimin e dyshuar të fondeve të BE-së. Euroactiv raporton duke iu referuar njerëzve të njohur me hetimin dhe dëshmitarëve, se bastisje u zhvilluan në të gjithë Belgjikën në orët e para të mëngjesit.

Policia sekuestroi dokumente dhe arrestoi tre persona për t'i marrë në pyetje nën dyshimin për mashtrim me prokurimin, korrupsion dhe konflikt interesi kriminal.

Sipas mediave ndërkombëtare në mesin e të arrestuarve është edhe rektorja e kolegjit të Europës Federica Mogherini.

Rreth 10 oficerë të veshur me rroba civile hynë në selinë e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në orën 7:30 të mëngjesit të së martës, tha një dëshmitar okular. Një zyrtar tjetër i BE-së nga shërbimi diplomatik i BE-së konfirmoi bastisjen.

Hetimi penal filloi pas akuzave se EEAS dhe Kolegji i Evropës, shkolla prestigjioze e trajnimit pasuniversitar për eurokratët, keqpërdorën paratë publike të BE-së në vitet 2021 dhe 2022, sipas katër personave me njohuri për hetimin.

Bastisjet janë skandali i fundit i madh që godet institucionet e BE-së dhe do të shtojnë presionin mbi Kolegjin e Evropës dhe rektoren e tij, Federica Mogherini, e cila dikur drejtonte EEAS-in dhe filloi një mandat të dytë pesëvjeçar në Bruges këtë vit.

Me kërkesë të EPPO-s, e cila është miratuar nga gjyqtari hetues, Policia Federale (FGP Ëest-Vlaanderen) ka kryer kontrolle në disa godina të Kolegjit të Evropës në Bryzh, pranë Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm në Bruksel si edhe në banesat e të dyshuarve. Aktivitetet hetimore janë mbështetur gjithashtu nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), thuhet në njoftim.

Në qendër të çështjes është projekti për Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian, një program trajnimi nëntëmujor për diplomatë të rinj nga vendet anëtare, i cili iu dha Kolegjit të Evropës nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm gjatë periudhës 2021-2022, pas një procedure tenderimi. Hetimi synon të përcaktojë nëse Kolegji i Evropës ose përfaqësues të tij janë informuar paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes në tender dhe nëse kanë pasur arsye të mjaftueshme të besonin se do të fitonin kontratën para publikimit zyrtar të njoftimit nga SEAE.

“Ekzistojnë dyshime të forta se, gjatë procedurës së tenderimit për programin, është shkelur neni 169 i Rregullores Financiare që lidhet me konkurrencën e ndershme dhe se informacione konfidenciale lidhur me tenderin në zhvillim janë ndarë me një nga kandidatët pjesëmarrës në garë”, shkruan EPPO.

Para kryerjes së kontrolleve, Prokuroria Evropiane ka kërkuar heqjen e imunitetit për disa nga personat nën hetim, kërkesë e cila është pranuar. Faktet që po hetohen janë raportuar fillimisht në OLAF. Ato mund të përbëjnë mashtrim në procedurat e prokurimit, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Hetimi është ende në zhvillim për të sqaruar rrethanat dhe për të vlerësuar nëse ka elementë të veprave penale.

“Një tjetër ditë, një tjetër skandal tronditës i BE-së. Policia belge që ndërhyn në agim në SEAE dhe në Kolegjin e Evropës? Dokumente të sekuestruara, arrestime të kryera, korrupsion dhe mashtrim në prokurime mbi tavolinë”, ka shkruar në X zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs. “Shkolla prestigjioze e BE-së për ‘përsosjen’ e burokratëve eurokratë tashmë nën hetim për akses të privilegjuar në tenderë? Kjo nuk mund të sajohet. Ironike se si Brukseli u mban leksione të gjithëve për ‘respektimin e shtetit të së drejtës’, ndërsa vetë institucionet e tij duken më shumë si një serial policor sesa një bashkim funksional.”

Hetuesit janë përqendruar te rrethanat që lidhen me blerjen prej 3.2 milionë euro të një ndërtese në Spanjaardstraat në Bruges nga kolegji, e cila strehon diplomatët që ndjekin akademinë. Konkursi për të pritur akademinë kërkonte që aplikantët të ofronin akomodim.

Kolegji i Evropës bleu ndërtesën në vitin 2022 gjatë një periudhe vështirësish financiare dhe pak para se EEAS të shpallte një tender që më vonë i dha institucionit 654 mijë euro financim.

Hetuesit shqyrtuan akuzat se Kolegji i Evropës dhe përfaqësuesit e tij kishin akses në informacione konfidenciale mbi tenderin, i cili duhej të mbetej sekret për të lejuar konkurrencë të ndershme mes institucioneve që garonin për të pritur akademinë e re.

OLAF, i cili ka kompetenca administrative për të ndjekur rastet e dyshuara të mashtrimit që përfshijnë paratë e BE-së, intervistoi disa individë para se t’i kalonte gjetjet e tij te EPPO, e ngarkuar me hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të rënda kundër interesave të BE-së.

Nuk ka tregues se OLAF ose EPPO kanë arritur në përfundime për shkelje dhe askush nuk është akuzuar zyrtarisht ende.

Kolegji i Evropës dhe Akademia e re Diplomatike e BE-së drejtohen të dyja nga Mogherini, ish-ministre socialiste italiane e jashtme, e cila drejtoi EEAS si Përfaqësuese e Lartë për Punët e Jashtme mes viteve 2014 dhe 2019. Ajo u bë rektore e Kolegjit në vitin 2020 dhe drejtoreshë e akademisë në nisjen e saj në vitin 2022.

Gjatë periudhës nën shqyrtim, EEAS drejtohej nga një tjetër ish-ministër i jashtëm socialist, spanjolli Josep Borrell.