TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tre shqiptarë të dyshuar për një tentativë vrasjeje në Selanik një vit më parë, janë arrestuar si të dyshuar, teksa iu zbuluan gjatë kontrollit edhe një arsenal i tërë me armatim.
Nga kallashnikovët te pistoletat dhe detonatorët, oficerët e policisë së Nëndrejtorit për Luftimin e Krimit të Organizuar të Greqisë Veriore gjetën gjithçka, pasi hetuan tentativën e vrasjes në Pylaia të Selanikut.
Sipas informacioneve nga “Protothema”, të arrestuarit janë 39, 30 dhe 23 vjeç, të cilët janë të lidhur me tentativën e vrasjes së një 25-vjeçari që ndodhi shtatorin e kaluar, në një mensë në zonën e Pylaias. Oficerët e policisë kryen kontrolle edhe në automjetet e tyre.
Gjatë hetimeve, ata gjetën, ndër të tjera, dy çelësa automjetesh dhe më tej i konstatuan mjetet në fjalë të mbushura me armë dhe drogë.
Konkretisht, në automjetin e gjetur në të njëjtën zonë ku u kryen arrestimet, u gjet një kallashnikov me një karikator me 30 fishekë, dy pistoleta me karikatorë, silenciatorë dhe detonatorë. Gjithashtu, u gjetën 28 kilogramë hashash që organizata kriminale kishte lënë në automjet.
Ndaj shqiptarëve u hap një dosje penale me akuza për organizatë kriminale, tentativë vrasjeje, drogë, armë, falsifikim, mosbindje dhe dhunë ndaj punonjësve.
39-vjeçari, i cili akuzohet si truri i organizatës dhe ishte i njohur për autoritetet, ashtu si edhe dy bashkëpunëtorët e tij, po dëshmon sot para hetuesve.
Tentativa e vrasjes ndodhi më 3 shtator 2024 dhe siç u zbulua nga hetimi, 39-vjeçari qëlloi jashtë një qendre kujdesi shëndetësor dhe plagosi 25-vjeçarin me origjinë greke, ndërsa më pas hipi në një automjet dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Viktima u dërgua me ambulancë në spital, duke pësuar lëndime në gjoks dhe dorë, teksa u gjetën edhe 3 gëzhoja. Hetimet e mëtejshme nga Departamenti i Krimeve kundër Jetës dhe Pronës çuan në identifikimin e autorit. Siç rezultoi, ai kishte krijuar dhe drejtuar një organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e drogës dhe kryerjen e sulmeve të armatosura – tentativa vrasjeje në vazhdimësi.
23-vjeçari dhe 30-vjeçari, të cilët luanin rolin e trafikantëve, i ishin bashkuar kësaj organizate. Gjatë arrestimit ata tentuan arratisjen, por pa sukses. Në ndjekje u përplasën me një tjetër mjet policie dhe e braktisën duke ikur në këmbë. Por metra më tej oficerët i prangosën.