AKTUALITET, 12 Shtator 2025, 12:15

Po ndiqeshin nga policia italiane, dy të rinjtë shqiptarë me makinë të vjedhur përplasen në një shtyllë! Njëri vdes, tjetri plagoset

Po ndiqeshin nga policia italiane, dy të rinjtë shqiptarë me

Tentativa e dy të rinjve shqiptarë për t’u arratisur me një makinë të vjedhur përfundoi në tragjedi mëngjesin e së premtes në Bologna të Italisë. Automjeti tip Audi, që rezultoi e vjedhur, u përplas me një shtyllë teksa po ndiqeshin nga policia. Për pasojë ndërroi jetë njëri prej tyre, 18-vjeç, ndërsa tjetri, 19-vjeç, u dërgua në spital pa lëndime serioze.

Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur dy të rinjtë po i iknin policisë, e cila i ndaloi në një semafor për kontroll. Por kur semafori u ndez jeshil, ata u larguan me shpejtësi me makinë. Shoferi ishte 19-vjeçari, i cili humbi kontrollin e automjetit në kryqëzimin Via Murri dhe Via dei Lamponi për shkak të shpejtësisë së lartë, duke u përplasur me shtyllën dhe më pas me disa makina të tjera të parkuara.

Në raportin e tyre, oficerët thanë se e humbën nga sytë automjetin, i cili po udhëtonte me mbi 200 km/orë, dhe më vonë e pikasën të përplasur. 19 vjeçari i plagosur nuk rezulton me precedentë penalë, ndërsa 18-vjeçari që vdiq, kishte qenë i dënuar më parë për vjedhje dhe rezistencë gjatë arrestimit nga policia.