AKTUALITET, 30 Qershor 2023, 17:50

Nuk ndalet rënia e euros, pritet forcimi i lekut

Nuk ndalet rënia e euros, pritet forcimi i lekut

Dukej sikur po rimëkëmbej një javë më parë, por euro vazhdon të bjerë sërisht, në shifrën 106.44 lekë, nga 107.6 që ishte. Edhe pse Banka e Shqipërisë bleu rreth 15 milionë euro me qëllim plotësim e rezervës, kjo lëvizje nuk dukej e mjaftueshme për të stopuar rrëzimin e vazhdueshëm të nënçmimit.

Faktorët kryesor për euron e dobët vijon të mbetet oferta e lartë e valutës në treg e cila është shtuar me rritjen e turizmit në vend, dhe parashikohet të vazhdojë e tillë me avancimin e sezonit veror që pritet të intensifikohet në muajin gusht.Ekspertët nuk përjashtojnë dhe faktorin tjetër kryesor si qarkullimi i parasë informale në treg që vazhdon të destabilizoj.

Por përveç faktorëve të brendshëm, dobësimi I euros vjen dhe nga zhvlerësimi i valutës në bursat ndërkombëtare, ku vlera e këmbimit me dollarin arriti vlerën 1.084 nga 1.1 dollarë që ishte një javë më parë.

Dollari në anën tjetër është forcuar nga përmirësimi i treguesve dhe performancës ekonomike të tregjeve të SHBA-ve.

Ndryshe nga euro, mbiçmimi i dollarit kundrejt lekut është 98.15 lekë, ose 0.35 më shumë seç ishte. 

Euro konsiderohet si valutë e lidhur ngushtë me tregun tonë. Gjatë vitit valuta është këmbyer mesatarisht me 112.8 lekë, ,e poshtë se vlera mesatare e 114 që ishte. Ky nivel cilësohet si më i ulti historik, ndërsa mesatarja e vitit 2022 ishte gati 119 lekë.

Rrëzimi i fortë i valutës nisi që në maj krahas me periudhën e zgjedhjeve lokale, dhe dukej sikur ndaloi me mbarimin e fushatës për t’ju rikthyer ekuilibrave të mëparshme. Por nënçmimi i fortë vijon akoma pa ndalur.