TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, deklaroi gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, se vendimi i maxhorancës socialiste për të rrëzuar dekretin e Presidentit Meta në lidhje me menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Parisit për administrimin e pasurisë kulturore.
Zhupa atakoi deputetët e Partisë Socialiste se ata nuk kanë kurajo për t’i dalë në krah interesit publik dhe të kundërshtojnë axhendën personale të kryeministrit Rama.
“Ishte e pritshme që do të vazhdonit në paligjshmëri duke rrëzuar dekretin e Presidentit. Ju duhet të kishit reflektuar për ta pranuar dekretin, jo për t’i dhënë të drejtë Ilir Metës, por për të mos shkel Kushtetutën, të mos shkelni Konventën e Parisit dhe të zgjidhnin mënyrën më të mirë për të administruar një pasuri kombëtare siç është Butrinti.
Ju nuk keni me sa duket këllqe t’i dilni kundër Edi Ramës në vendimmarrjen e tij personale. Me sa duket interesi publik është dorë e dytë përpara interesit partiak”, tha Zhupa.
Deputetja e PD shtoi gjithashtu se Konventa e Parisit nënvizon se pasuritë kulturore nuk mund të merren në menaxhim me koncesion nga fondacionet, pasi duhet të jetë shteti ai i cili duhet të ketë rol kryesor në administrim.
“Konventa e Parisit është e qartë për rolin që duhet të ketë shteti dhe jo për monopolin që duhet të ketë ai. Unë asnjëherë kam thënë që shteti duhet të jetë i vetëm për administrimin e pasurisë kulturore. Jo! Shteti duhet të jetë kryesor dhe aksioner maxhoritar në administrimin e pasurisë kulturore. Po! Ai duhet po mund të ndihmohet dhe të ftojë fondacione të ndryshme, por pa humbur rolin kryesor. Konventa e Parisit në nenin 4 thotë se detyra për të siguruar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm i takon atij, shtetit. Sovraniteti ku ndodhet pasuria kulturore duhet të respektohet. Theksohet se nuk mund të merret asnjë masë direkte apo indirekte që mund të dëmtojë pasurinë kulturore.
Nuk ka në asnjë fjalë në Konventën e Parisit që thotë se fondacionet mund të menaxhojnë, apo të marrin në administrim koncesionar pasuritë kulturore”, tha Zhupa.