AKTUALITET, 13 Tetor 2025, 23:24

“Nuk ka paqe nën ullinj”, Abilekaj pesimist për paqen në Lindjen e Mesme: Zgjidhja e vetme ajo me dy shtete

“Nuk ka paqe nën ullinj”, Abilekaj pesimist për paqen

Analisti Enton Abilekaj u shpreh pesimist për suksesin e marrëveshjes së paqes mes Izraelit dhe Hamasit për Gazën. Ai citoi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, titullin e një filmi të vjetër italian për të thënë se kjo nuk është paqe mbi themele të forta dhe vetmja zgjidhje është ajo me dy shtete.

“Është një film klasik italian “Nuk ka paqe nën ullinj” që bariu kthehet nga lufta dhe gjen që delet, të dashurën dhe shtëpinë ia ka marrë pronari i tokës dhe nis e hakmerret.

Imagjino të ikurit nga Gaza që kthehen dhe për shkak të paqes nuk gjejnë as shtëpi, nëpër rrënoja ka ende kufoma fëmijësh e të tjerë dhe të mos dënohen ata që e bënë këtë.

Duket si armëpushim se sa një paqe mbi themele të forta. Zgjidhja është ajo që e kërkojnë palestinezët dhe më e arsyeshmja e dy shteteve dhe për sa kohë nuk bëhet fjalë për zgjidhjen me dy shtete, por të quhet Gaza si mundësi për të bërë resorte të mëdha ku një miliardere izraelite që lobonte aty dhe e përshëndeti Trump në parlamentin e Izraelit që kjo ka meritën kryesore dhe unë e pyeta kë do më shumë Amerikën apo Izraelin, refuzoi të më përgjigjej. Ajo miliarderja ka lobuar bashkë me vajzën e Trumpit, bashkë me dhëndrin dhe na u bëka paqja. Sigurisht që nuk ka paqe. Ne jemi në momentin kur Hamasi është i shkatërruar, kur e gjithë bota që përfaqëson Hamasin është e poshtëruar dhe që ata nuk kanë asnjë zgjidhje përveçse të pranojnë paqen. Ky është paralizim i faktorëve anti-izraelitë dhe askush nuk negocioi me ta. U dha një plan 20 pikësh dhe pranuan të detyruar”- tha Abilekaj.