AKTUALITET, 13 Tetor 2025, 22:30

Nazarko analizon zgjedhjet në Kosovë: U konfirmua trendi rënës i VV-së, PDK ka rritje

Nazarko analizon zgjedhjet në Kosovë: U konfirmua trendi

Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV për të komentuar zgjedhjet vendore që u mbajtjen dje në Kosovë, u shpreh se ato konfirmuan trendin rënës të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa nga ana tjetër pati rritje të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Nëse do të nisemi nga disa tregues të dukshëm, formalë, zgjedhjet kanë kaluar në qetësi, pa incidente serioze. Ka patur pjesëmarrje që formalisht quhet e ulët, 40 përqind apo 41 përqind.

Mund të shtojmë edhe rikthimin e serbëve në jetën institucionale të Kosovës. Vuçiç e konsideron rikonfirmimin e Listës Serbe si një fitore.

Pastaj për numrat, duket sikur Vetëvendosja, është duke konfirmuar trendin rënës, prirjen rënëse të saj. Ky është treguesi i parë. Kemi një rritje të PDK.

Vetëvendosja merr rezultat të mirë në Mitrovicën e jugut, kishte simbolikë pasi e ka kontrolluar Partia Demokratike e Kosovës, por me siguri do të shkojë në balotazh.

Çështja e rezultatit të balotazhit krijoi një polemikë shtesë në Kosovë, pasi e kanë paraqitur si të fituar nga PDK, u kontestua exit-poll. Zoti Kurti ka ndjekur një linjë akuzuese, për këto exit-polle skajshmërisht të pasakta.

Këto ishin disa trende dhe karakteristika formale. Garë interesante do të ketë në Prishtinë, ku është kryetari ekzistues Përparim Rama, që përfaqëson LDK, por ka ruajtur një lloj profili të pavarur. Po ashtu edhe në Pejë që është qytet i madh, kemi balotazh, kryetari i LDK sfidohet. Kemi edhe Prizrenin në balotazh. I vetmi rezultat i cili mund të konfirmohet, ku Vetëvendosja tregon qëndrueshmëri rezultati. Të tjerat ku ka fituar janë të vogla.

Lista Serbe është konfirmuar në 10 komuna që janë me shumicë të banuara nga minoritetet. Këto janë treguesit e këtyre zgjedhje”- tha Nazarko.