AKTUALITET, 5 Maj 2023, 19:56

"Nuk ka më derë hapur për Berishën dhe as Metën", Rama: Të votosh për ta, është si të ulësh flamurin tonë kombëtar

"Nuk ka më derë hapur për Berishën dhe as

Kryeministri Edi Rama, nga Gjirokastra, iu kërkoi qytetarëve të mos votojnë kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, pasi u shpreh ai, aleatët strategjikë të vendit tonë e kanë shpallur Sali Berishën “non grata” dhe se vota për të është kthim pas për Shqipërinë.

“As nuk mund të imagjinoj që në këtë qark të mund të ketë një bashki të vetme që do të dojë të kthehet pas, të bjerë në ato duar që dinë të shkatërrojnë e të gatuajnë helm, baltë e sherr. Ne na duhet të vijojmë me projektet tona, të ngjitemi shumë më lart”, u shpreh ai.

Kryeministri tha se, kthimi pas është vetëvrasje.

“Çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve, e di që sot Shqipëria është më e respektuar se kurrë në sytë e botës, është më e barabartë në çdo tryezë pune. Sot Shqipëria ulet në Këshillin e Sigurimit krahas shteteve më të fuqishme të botës, pret të organizojë Samitin e Berlinit, në Tiranë, pasi ka pritur Samitin e parë Evropian jashtë kufijve të BE. Dhe nuk do të kishim qenë sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nëse nuk do të kishim mbështetjen e aleatëve e partnerëve tanë. Nuk do të kishim qenë në krye të OSBE, pa këtë mbështetje e besim”, theksoi Rama.

Rama rikujtoi se ishin pikërisht këta partnerë që u shprehën se nuk mund të bashkëpunonin me Berishën.

“Kur këta partnerë detyrohen të ulen, shkruajnë, i vënë vulën e shtetit të tyre, SHBA, dhe na e tregojnë duke na e lexuar vetë, që ky individ është i padëshirueshëm për ne dhe ju lutemi shumë hiqjuni këtij, se me ne e ka mbyllur dhe cilido që merret me të, si ka mundësi që këtu të ketë akoma shqiptar që nuk e marrin në konsideratë këtë?!”.

Kryeministri theksoi se, edhe pse BE nuk ka një mekanizëm të tillë për shpallje “non grata” të individëve, nuk ka më derë hapur për Berishën dhe as Metën.

“Të votosh për ta, – tha Rama, – është si të ulësh flamurin tonë kombëtar.”

Nga ana tjetër, Rama iu rikthye Shkodrës, duke thënë se, kandidatët e PS nuk kanë pasur asnjëherë mundësinë të drejtojnë këtë bashki dhe se ajo është bashkia më e pazhvilluar për shkak të keqmenaxhimit.

“Shkodra është qyteti më i bukur nga qytetet, sa i përket dhuratave që i ka bërë Zoti dhe nuk ka qytet në Evropë që Zoti t’i ketë dhënë lumë, liqen, det, mal dhe Alpet mbi kokë. Të gjitha. Shkodra është bashkia më e prapambetur, më e papastra. Arsyeja? Sepse në Shkodër, nga vitit 1992 që bëhen zgjedhje pluraliste, Partisë Socialiste nuk i është dhënë kurrë shansi ta drejtojë. Ata të tjerët vazhdojnë të tregojnë çfarë nuk dinë, nuk duan dhe nuk ka shans të mësojnë të bëjnë për të zhvilluar këtë qytet”, tha Rama.