AKTUALITET, 5 Maj 2023, 19:48

"Grupet kriminale dhe ato të malavitës janë fuqizuar", Berisha nga Fushë-Kruja: Cilido që ndjen se është ekonomikisht më mirë, i them voto Edi Ramën!

"Grupet kriminale dhe ato të malavitës janë fuqizuar",

Kreu i PD-së Sali Berisha ka qenë sot në Fushë-Krujë, ku ka prezantuar Agron Lokën për kryetar bashkie.

Berisha kërkoi votat e qytetarëve të Krujës dhe Fushë-Krujës për të ndryshuar jetën e tyre, për mirëqenien e familjeve të tyre. 

"Të ndryshojmë Krujën, ta shpëtojmë atë nga një regjim i cili sot të gjitha pushtet i ka në duart e një njeriu. Të gjitha pushtetet janë të përqendruara në duart e Edi Ramës. Keqësia e tij shpirtërore rrezatohet në jetën e fëmijëve tanë, në jetën e të rinjve tanë, në mirëqenien e familjeve tona, në bizneset dhe fermat tona.

Vërtetë në datën 14 maj votojmë Agron Lokën për qytetar të parë të Krujës, por ju garantoj se në datën 14, duke votuar Agron Lokën, çdo demokrat, socialist, çdo qytetar i paparti i këtij rrethi, voton para së gjithash për veten e tij. Voton për dinjitetin e tij, për të respektuar veten e tij. Voton për të zëvendësuar dëshpërimin, zhgënjimin, indiferencën me shpresën, besimin, suksesin dhe një jetë tjetër nga ajo e sotmja", tha Berisha.

Ai iu bëri dhe një thirrje atyre që e ndiejnë veten ekonomikisht më mirë këto 8 vite, teksa deklaroi se grupet kriminale dhe ato të malavitës janë fuqizuar.

"Cilido krutane e krutan, cilido shqiptar që gjatë këtyre 8 viteve ndjehet se është më mirë, ndjehet se është ekonomikisht më mirë, i them vazhdo rrugën, voto Edi Ramën dhe ke mirëkuptimin tonë. Por sot, ata të cilët mund të pohojnë një gjë të tillë janë shumë të paktën. Ata janë një rreth i ngushtë i qeveritarëve, janë një rreth i ngushtë i qeveritarëve vendorë, janë pastaj grupet e malavitës, të lidhura me pushtetin. Dhe këtu, përsëri duhet të ndalemi. E vërteta është se grupet kriminale dhe ato të malavitës janë fuqizuar, por do të ju them një gjë, miqtë e mi; është në mençurinë tonë të ndalemi dhe të mendojmë. Ju garantoj se asnjëri prej tyre nuk i afrohet kurrë atij kriminelit në parlament që i mbron ata, që pasurohet prej tyre, që vjedh, atij ministrit, kryeministrit që vjedh ju, në shuma, dhjetëra e dhjetëra herë më të mëdha se sa të gjitha bandat dhe hajdutët e Shqipërisë të marrë së bashku", tha Berisha.