AKTUALITET, 5 Maj 2023, 18:08

"Nuk ka financime për bashkitë që fiton opozita", Artan Fuga komenton deklaratat e Ramës: Propagandë elektorale! 

"Nuk ka financime për bashkitë që fiton opozita", Artan

Akademiku Artan Fuga ka komentuar në lidhje fushatën elektorale të bërë nga palët politike për 14 majin, kur na ndajnë 9 ditë nga zgjedhjet lokale. 

Fuga u shpreh se në përgjithësi shihet përdorimi i një gjuhe të ashpër që ka për qëllim kriminalizimin e kundërshtarit, ndërsa shtoi se vihet re ndërhyrja e çështjeve që i përkasin drejtësisë, gjyqësorit dhe prokurorisë, në politikë.

Fuga ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama për mos financim të bashkive të djathta pas 14 majit, gjë e cila sipas tij duhet të ishte shmangur dhe se do të ishte gjë gabim i madh nëse do të kthehej në realitet.

Në lidhje me posterat ku kryeministri Rama ka përdorur fotografi të tij dhe zotit Berisha e zotit Meta, Fuga u shpreh se është denigrim i figurës së kundërshtarit dhe si i tillë nuk është korrekte nga ana etike.

"Ka karakteristikat e një fushate elektorale që ndodh në të gjithë botën, ku gjuha ashpërsohet dhe premtimet ndonjëherë i ngjajnë përrallave që pas 14 majit gjithçka do jetë ndryshe. E gjitha lundron në një lloj paqartësie për rezultatin me sondazhe që kundërshtojnë njëri tjetrin.
Një pjesë e popullsisë është indiferente, ndërkohë që takimet e kandidatëve duken si monolog. Sa i përket hendekut qeveri-elektorat, do ishte e pritshme që pas 10 vitesh në pushtet të kishte në ezaurim, por kjo nuk është e lehtë ta thuash, sepse në pushtetin lokal me përjashtim të zgjedhjeve të pjesshme 2-3 vite më parë në disa bashki, kemi kohë që nuk kemi bërë një sprovë. Në 5-6 vite ka ndryshuar demografia e shumë qyteteve të mëdha. Ka përqendrim në qytetet e mëdha dhe nuk ka një numër të lartë votuesish në qytetet e vogla. Mendoj që beteja elektorale do jetë mes dy grupeve të popullsisë. Do të jetë një betejë interesash. Pjesa që është privuar nga të drejtat do votojë ndryshimin, deklaroi Fuga në News24.

"Sa i përket këngës tallava, them se politika shqiptare ndërton metafora. Ka një fakt që një pjesë e popullsisë ka një edukatë politike jo shumë të zhvilluar. Ka një pjesë që nuk e ndjek dot gjuhën me 100 elaborime e nuanca të politikanëve, Rama e ka pasur zakon këtë gjë, flet për gjëra të mëdha dhe përdor tallavanë për të ndërtuar bashkëveprimin me elektoratin. Ka votues që votojnë në bazë të interesave dhe militantë që votojnë në bazë bindjesh", tha më tej ai.

Sa i përket posterave të PS, Fuga theksoi se "Ligji është llastik, të shohim si do interpretohet, por nga ana e etikës së komunikimit, nuk do e konsideroja një gjetje të pranueshme e moderne në kushtet e një demokracie që duhet të funksionojë sipas disa vlerave".

"Është denigrim i figurës së kundërshtarit. Në fushata ka një tendencë karikaturazimi të kundërshtarit, të njëjtën ka bërë me fjalë opozita për kandidatët e mazhorancës. Këto postera tregojnë krizë të politikës shqiptare sot, që kundërshtari gati-gati barazohet me kriminelin. Jemi një komb i papërmbajtur. Politika jonë në 30 vite ka shkuar në skaje, në një gjuhë të ashpër e të pamoderuar. Është më kollaj të kriminalizosh kundërshtarin se sa të ballafaqohesh me ide, projekte.
Mendohet se masa apo turma kupton më kollaj kur polet politike janë të ndara. Rama 'i bie' termit non grata, ndërsa opozita bën të njëjtën gjë duke paraqitur kandidatët e shumicës dhe Ramën si një bandë keqbërësish të cilët kanë abuzuar.
Ndërkohë këto janë çështjes jo politike, por të drejtësisë prokurorisë e gjykatave. Kemi një interferencë të çështjeve që kanë të bëjnë me gjyqësorin në politikë", deklaroi akademiku.

Duke u ndalur te deklaratat e Ramës se nuk do ketë bashkëpunim me opozitën dhe se nëse fitojnë kandidatët e saj në bashki, nuk do financohen me fonde, Fuga tha se është pa baza.

"Nuk mund të thuhet kjo gjë, sepse mbi të gjitha pushteti vendor është autonom në raport me qeverisjen dhe paratë e buxhetit nuk janë të PS por të qytetarëve. Propagandë elektorale që nuk besoj se mund të ndodhë, por nëse ndodh do ishte një gabim i rëndë, një defekt i rëndë i qeverisjes në Shqipërisë. Përdorimi në fushatë do ishte mirë të ishte evituar", tha ai.