AKTUALITET, 7 Prill 2022, 21:18

"Nuk duhen bërë deklarata ekstreme ndaj Yuri Kim"/ Rudina Hajdari: E takoi Alibeajn si kryetar të grupit parlamentar!

"Nuk duhen bërë deklarata ekstreme ndaj Yuri Kim"/ Rudina
Yuri Kim dhe Rudina Hajdari

Ish deputetja Rudina Hajdari, thotë se "gjakrat në PD duhet të ulen" dhe "nuk duhen bërë deklarata ekstreme ndaj ambasadores Kim". 

E ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Hajdari tha se Kim e ka takuar Alibeajn më shumë si "kryetar të grupit parlamentar" edhe pse vetë Kim deklaroi se kishte zhvilluar takim me "ushtruesin e detyrës së kryetarit". 

Rudina Hajdari: Unë nuk e quaj si rikthim, e quaj si ardhje në vendin që më takon, në PD. E quaj pjesë të familjes time. PD përbën një vend që më takon të jem, për historinë që më përket. Ne duhet të pranojmë faktin që PD është në krizë dhe vështirësi. Ne duhet të bëjmë rolin tonë përtej individëve dhe të shohim të ardhmen afatgjatë të PD.

Ylli Rakipi: Kë njihni ju sot për kryetar të PD?

Rudina Hajdari: Aktualisht PD nuk ka kryetar. Në momentin që Basha dha dorëheqjen. Ka qenë një nga arsyet përse vendosa të vij në PD. Deri dje PD e ka mbyllur derën me Rudina Hajdarin. Basha ishte kategorik për këtë gjë. Ai jo vetëm bëri përjashtimin nga grupi parlamentar, por përjashtimin nga partia nga të gjitha strukturat. Të përjashtohesh nga një parti ku aderon… Në atë kohë tentova të komunikoj me zotin Basha, të negocioja, të futesha në listat e PD dhe ai ishte kategorik dhe më refuzoi. Ndaj unë zgjodha një rrugë tjetër. Zoti Basha, njihet për këtë lloj sjellje që ka bërë me ata njerëz që ka përjashtuar.

Ylli Rakipi: Ambasadorja Kim shkoi në PD, takoi Alibeajn dhe e shpalli kryetar në detyrë. Ju si e mendoni, duhet ta bënte këtë veprim?

Rudina Hajdari: Duhet ta shohim me ftohtësi këtë gjë. Gjakrat u ndezën shumë, u bënë deklarata pak ekstreme, qoftë edhe brenda PD, nga të dyja palët. Ajo çka është e rëndësishme, është të mos shkojmë në deklarata ekstreme me ambasadën amerikane. Ajo që unë vërejtja është që në ato momente, pashë një sërë takimesh që zonja ambasadore bëri në Kuvendin e Shqipërisë. Mu duk më shumë si takim në funksionin e grupit parlamentar dhe jo më shumë. Situata në PD është pak konfuze.

Ylli Rakipi: Me kë keni kontaktuar ju te grupet e PD? Me Sali Berishën?

Rudina Hajdari: Me Sali Berisha familja ka një kontakt të vazhdueshëm. Nuk besoj se është e rëndësishme për publikun. Nuk është në natyrën time të tregoj. Jam e hapur të takohem dhe jam në komunikim me shumicën e deputetëve.