AKTUALITET, 27 Maj 2023, 16:44

“Njerëz të këqij, krushq apo miq, s’kanë punë në PS”, Rama s’i kursen kritikat: Hipoteka në Vlorë është turpi i Shqipërisë

“Njerëz të këqij, krushq apo miq, s’kanë

Kryeministri Edi Rama e ka ndalur turin e tij falënderues në Vlorë, ndërkohë që nuk i ka kursyer kritikat për një institucion. Në fjalën e tij Rama u ndal dhe te problematikat e hasura në Hipotekën e Vlorës, të cilën e cilësoi si turpin e Partisë Socialiste në të gjithë vendin.

Ai shtoi se njerëzit e këqij nuk duhet të kenë vend në Partinë Socialiste, pavarësisht se kë kanë mik apo krushk. Shefi i qeverisë shtoi se PS duhet të jetë fytyra e atyre që e votuan dhe jo instrument i përfitimeve të një grupi njerëzish.

“Vlonjatët nuk erdhën në 14 maj t’i japin 71 % Ermalit se janë të lumtur me çfarë bën Hipoteka e Vlorës. Hipoteka e Vlorës është turpi i PS-së së Vlorës dhe të Shqipërisë. Mund të marr edhe shembuj nga qeveria qendrore po të doni, për njerëz që na kanë turpëruar. Por këta shembuj na vlejnë jo për të kthyer kokën mbrapa dhe të themi s’kemi bërë punë. Njerëzit e këqij nuk duhet të kenë vend në asnjë vend ku PS përfaqësohet, pavarësisht se me kë janë të lidhur, kë kanë krushq dhe gjak. Është shumë e rëndësishme që PS e Vlorës të jetë fytyra e gjithë atyre që e votuan. Jo instrumenti i përfitimeve të një grushti njerëzish. Jo rruga që disa të bëjnë parakalime me kokën lartë, duke i parë njerëzit nga lartë-poshtë. Kjo do të thotë se njerëzit e përkushtuar duhet ta gjejnë vendin në këtë komunitet. Zemra merre me qetësi se është dhe vapë”, u shpreh Rama.