AKTUALITET, 27 Maj 2023, 12:46

Edi Rama në Selenicë: Në 14 maj të djathtët që nuk votuan bënë hap të mençur

Edi Rama në Selenicë: Në 14 maj të djathtët që nuk

Kryeministri Edi Rama në turin e tij të falenderimeve të ndërmarrë në bashki të ndryshme të vendit pas fitores së 14 majit, është ndalur sot në Selenicë ku ka falenderuar edhe qytetarët të cilët nuk dolën në votim pasi sipas tij kanë refuzuar të votojnë për koalicionin Berisha-Meta.

“Në 14 maj bënë një hap të mençur disa duke votuar për kandidatët tanë, disa duke mos dalë në votim. Mosdalja në votim e një pjese të tyre është kontributi më i rëndësishëm që ata kanë dhënë për të ardhmen e vendit tonë sepse nuk pranuan të dalin në votim për të vënë kryqin e votës së tyre tek një bashkim hijesh të së shkuarës që janë aty për ta tërhequr Shqipërinë vetëm mbrapa por dështuan dhe do vazhdojnë të dështojnë sepse ne do shkojmë vetëm përpara”- tha Rama.

Ndërsa duke folur për projektet e ardhshme në këtë zonë, Rama tha se do të bëhet maksimumi për të përmirësuar jetesën edhe pse nevojat gjithmonë janë më të mëdha sesa mundësitë.

Ai tha se rruga e përfunduar e lumit të Vlorës do të sjellë rritjen e menjëhershme të vlerës së tokave të banorëve të zonës gjithashtu edhe rritjen e numrit të turistëve të cilët do të preferojnë luginën para bregut të detit.

“Kam besim që rruga e lumit të Vlorës siç ka sjellë rritjen e menjëhershme të vlerës së tokave do të sjellë edhe rritjen e vlerave të ekonomisë së zonës.

Është një luginë e cila vitet e ardhshme do kthehet në destinacion turistik sepse është mrekulli e vërtetë dhe do të jetë një zonë komplementare me bregun e detit dhe do të jetë një territor ku shumëkush do të preferojë të shkojë atje para se të shkojë në breg të detit”, -shtoi kryeministri.