AKTUALITET, 25 Shkurt 2026, 10:02

Masat/ Bllokimi i qarkullimit drejt juglindjes, nis demontimi i urës te ‘Arrat e Gurrës’, do të ndërtohet rrugë provizore 1.3 km buzë Shkumbinit

Masat/ Bllokimi i qarkullimit drejt juglindjes, nis demontimi i urës te

Bllokimi total i qarkullimit drejt juglindjes vijon tashmë prej 5 ditësh si pasojë e degradimit të aksit rrugor Librazhd-Prrenjas.

Sot ka nisur dhe demontimi i urës së shembur në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës” pas vendimit të marrë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

ARRSH si zgjidhje provizore për të rilidhur juglindjen me pjesën tjetër të Shqipërisë ka menduar ndërtimin e një rruge provizore 1.3 km buzë Shkumbinit.

Specialistët gjithashtu janë në terren në pjesën përkrah hekurudhës ku do të nisë puna për ndërtimin e një segmenti 1.3 km që do të bëjë të mundur rikthimin e qarkullimit në këtë aks rrugor.

Specialistët e terrenit konfirmuan se zhvendosja e trupit të rrugës dhe çarja e shtresave mbajtëse e kanë nxjerrë jashtë funksioni totalisht strukturën ekzistuese, duke e kthyer në një rrezik potencial për qarkullimin dhe sigurinë publike.

Zona vijon të konsiderohet me risk të lartë gjeologjik, ndërsa lëvizjet e tokës raportohen ende aktive në disa segmente përreth.

Shembja e urës në Dragostunjë ka thelluar krizën e qarkullimit në këtë arterie të rëndësishme lidhëse, duke izoluar përkohësisht komunitete të tëra dhe duke devijuar trafikun në rrugë alternative rurale, të cilat nuk përballojnë fluksin e lartë të automjeteve.