AKTUALITET, 29 Mars 2023, 20:24

Ngjarja në Kavajë, dyshohet se viktimat u takuan që të sqaroheshin për një konflikt të mëparshëm

Ngjarja në Kavajë, dyshohet se viktimat u takuan që të

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ngjarjen e ndodhur pak më parë në Kavajë, ku dy persona humbën jetën pas një konflikti.

Dyshohet se viktimat kanë pasur konflikt të mëparshëm dhe janë takuar për t’u sqaruar.

Takimi është kryer në zonën e njohur si “kryqëzimi i valutës” ku edhe janë konfliktuar sërish.

Altin Rexha i cili ka ndryshuar emrin në Sali Rexha, ka qenë me një fëmijë përdore në momentin e konfliktit. Gjithashtu edhe Edmond Gosa e ka ndryshuar emrin në Armand Gosa. Dysshohet se ka qenë ky i fundit ai që ka qëlluar fillimisht me mjet prerës të tipit thikë Sali Rexhën, ndërsa ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të Gosës dhe të dy personat e përfshirë në konflikt kanë humbur jetën.

Sipas burimeve nga policia, bëhet me dije se nga verifikimet e sakta të kryera nga grupi hetimor, pas gjetjes së dokumenteve të identifikimit, shtetasi Altin Rexha rezulton se e ka ndryshuar emrin dhe në dokumente e ka Sali Rexha.

Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Reagimi tjetër i policisë:

Kavajë/Informacion shtesë

Nga verifikimet e sakta të kryera nga grupi hetimor, pas gjetjes së dokumenteve të identifikimit, shtetasi Altin Rexha e ka ndryshuar emrin dhe në dokumente e ka Sali Rexha.

Më datë 29.03.2023, në Kavajë, tek kryqëzimi i valutës, ka ndodhur një konflikt midis dy shtetasve, ku shtetasi Edmond Gosa 43 vjeç, ka plagosur me thikë shtetasin Altin Rexha, 43 vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur me armë zjarri shtetasin Edmond Gosa.

Si pasojë e plagëve të marra të dy shtetasit e përfshirë në konflikt, kanë ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve paraprake në vendngjarje, do të kemi një informacion vijues.