AKTUALITET, 21 Dhjetor 2021, 10:47

Negociatat/ Varhelyi: E kuptoj dëshpërimin e Zaev, ka ardhur koha për Konferencën e Parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Negociatat/ Varhelyi: E kuptoj dëshpërimin e Zaev, ka ardhur koha

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, dha një mesazh për procesin e integrimit, gjatë lidhjes me “Skype” në takimin “Ballkani i Hapur” të kryeministrit Edi Rama, kryeministrit Zoran Zaev dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç.

Mes të tjerash, komisioneri Varheyli deklaroi se e kupton dëshpërimin e kryeministrit maqedonas, ndërsa shtoi se BE duhet ta marrë shumë seriozisht këtë proces, pasi ka ardhur koha që të ndodhë Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“E kuptoj dëshpërimin e Zaev, por mos harroni që ne kemi bërë progres në procesin e zgjerimit, kemi hapur kapituj me Serbinë.

Megjithatë nuk e fsheh keqardhjen time që ende nuk e kemi mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe duhet t’i mbajmë shumë shpejt.

Kemi një angazhim nga ana e BE, që kjo gjë të ndodhë.

Duhet marrë shumë seriozisht dhe ka ardhur koha që kjo të ndodhë, e t’i sjellin në tryezë të gjitha marrëveshjet”, u shpreh Varheyli.