TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot për protestat e përgjakshme në Nepal, ku deri tani ka të paktën 22 të vrarë pas demonstratave të fuqishme dhe përplasjes së rinisë “Gjenerata Z” me policinë, pas mbylljes së rrjeteve sociale nga qeveria.
Kreu i selisë blu vlerëson me një postim në rrjetin social Facebook aktin e rinisë që triumfoi, kurse “diktatorit të Nepalit iu desh të vriste 22 prej tyre dhe të arratisej me helikopter”.
“Diktatori komunist i korruptuar i Nepalit ndaloi mediat sociale. Rinia, gjenerata Z, u ngrit në protesta të fuqishme, diktatori qëlloi mbi protestuesit e pamposhtur dhe vrau 22 të rinj. Por protesta triumfoi, diktatori ia mbathi me helikopter. Nderim martirëve të fjalës së lirë dhe antikorrupsionit”, shkruan Berisha.
Protestuesit detyruan kryeministrin e Nepalit që të dorëhiqej, teksa i vunë flakën edhe parlamentit të vendit. Autoritetet pas demonstratave u tërhoqën nga vendimi për mbylljen e rrjeteve sociale, duke e hequr bllokadën.
Masa erdhi pasi në rrjete dhe media po publikoheshin skandalet e qeveritarëve dhe familjarëve të tyre, kryesisht jeta luksoze që bënin.
Në Shqipëri, prej gati një viti, Qeveria ka mbyllur rrjetin social TikTok, vendim që është kundërshtuar fuqishëm nga opozita dhe të rinjtë.
