AKTUALITET, 20 Prill 2023, 18:02

Në kërkim nga SPAK, si u arrestuan Ramazan Rraja dhe shoku i tij, kishin shkuar për iftar në një lokal në Fushë-Krujë

Në kërkim nga SPAK, si u arrestuan Ramazan Rraja dhe shoku i tij,

Një 'pakujdesi' me sa duket e ka tradhtuar Ramazan Rrajën, i cili ndonëse në kërkim nga SPAK e policia vijonte axhendën e tij i patrazuar. 

Mësohet se Rraja u arrestua në ambientet e një lokali ku kishte shkuar për iftar, në Urën e Gjoles në Fushë Krujë, teksa ishte i shoqëruar nga shoku i tij Luiz Konomi, një personazh nga Elbasani i njohur në botën e krimit me nofkën “Çupja”.

Rraja u shpall në kërkim pas hetimeve për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe Rrumit të Shijakut.

Ish-prokurori Arjan Ndoj ra pre e një atentati më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit në Durrës. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe miku i tij Aleksandër Laho i njohur si ‘Rrumi’ si dhe humbi jetën në spital, shoferi i prokurorit Ndoj, Andi Maloku.

Teksa Konomi ishte në kërkim nga Policia e Elbasanit, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryer në bashkëpunim.

Në momëntin e kapjes, Ramazan Rraja, të cilim e thërrasin shkurt “Xon Rraja”, iu gjet në brez një pistoletë me fishek në fole gati për qitje.