AKTUALITET, 20 Prill 2023, 15:25

‘Hapet’ thesi për fushatë? Bashkia e Kukësit thirrje banorëve: Ejani tërhiqni pakot te magazina

‘Hapet’ thesi për fushatë? Bashkia e Kukësit thirrje

Teksa Kodi Zgjedhor ndalon dhënien e ndihmave ushqimore, apo të formave të tjera për qytetarët, duke i cilësuar si tentativa për ‘blerje votash’, një rast i dyshimtë vjen nga bashkia e Kukësit.

Një ditë më parë banorët e shtresave në nevojë u njoftuan nga përgjegjësit e Njësive Administrative që të tërhiqnin pakot ushqimore pranë magazinave të bashkisë se Kukësit.

“Ne Komuna na ka thirr, na kanë thënë të bashkisë japin. Në më dhënshin falimners, për jetimët i kam”, shprehen disa të moshuara.

“Mua më ka njoftuar shefi i Komunës Imisht”, thotë një tjetër banorë për News24.

Nga ana tjetër, drejtori i Shërbimit Social në Bashkinë e Kukësit Albert Iseberi pretendon se ndihmat janë donacione të shoqatave që jepen për shtresat në nevojë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit dhe nuk kanë aspak lidhje me fushatën elektorale.

“Janë nga shoqata e jetimëve të Ballkanit që në muajin e Ramazanit ka sjellë 100 pako të shtresave në nevojë. Kemi shpërndarë ndihma pothuajse gjatë vitit. Nuk ka lidhje me fushatën elektorale”, shprehet ai.