TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se paga minimale në vend do të arrijë në 45 mijë lekë në vitin 2025.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës, ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se mungesa e forcës punëtore dhe ulja e ofertës së forcës punëtore ka çuar në rritjen e pagave minimale, para se qeveria ta bënte me vendim.
“Qeveria është angazhuar që nga fillimi i këtij viti me qëllim hartimin e një reforme të përgjithshme për pagat, e cila filloi me vendimin e parë të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagës minimale në një nivel prej 40 mijë lekësh. Ishte një vendim që u mor pas një analize të gjatë të kryer nga MFE, mbi përballimin e kësaj page minimale në të gjithë sektorët e ekonomisë. Rritja e pagës minimale dhe në përgjithësi pagat mesatare në sektorin privat dhe publik kanë qenë çështje diskutimi dhe në Këshillin Kombëtar të Punës, por edhe në takimet që ne kemi pasur me shoqata të ndryshme të sipërmarrësve. Në bazë të analizës që në kryem morëm vendimin për të rritur pagën minimale në vitin 2023 në nivelin 40 mijë lekë, nga 34 mijë lekë që ishte paraprakisht, ndërkohë që jemi duke punuar, e kjo do të jetë temë diskutimi edhe në mbledhjen e sotme, për të bërë një strategji dhe në vijim të rritjes së pagave në sektorin privat, siç kemi bërë dhe me sektorin publik”, u shpreh ajo.
Ajo paralajmëroi rritjen e pagave në mënyrë që edhe bizneset të kenë një lloj parashikueshmërie për vendimet e Këshillit të Ministrave.
“Ne kemi vendosur dhe do të diskutojmë mbi vendimin që kjo pagë do të vijojë të rritet dhe në vitin 2024 dhe të arrijë në vitin 2025 në nivelin 45 mijë lekë. Analiza që është kryer është bërë duke u bazuar në gjithë performancën e subjekteve private. Nuk ka qenë një periudhë e lehtë për subjektet private, megjithatë mungesa e forcës punëtore dhe ulja e ofertës së forcës punëtore ka çuar në rritjen e pagave minimale, pavarësisht vendimit të Këshillit të Ministrave”, u shpreh ministrja.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të Punës u diskutuan disa çështje, ndër të cilat ndryshimet në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Sipas ministres Ibrahimaj, ky projektligj vjen në vijim të rritjes së pagës minimale dhe ndryshimi thelbësor ka të bëjë me rritjen e pagës maksimale me qëllim që ato të mos ulen nga ndryshimi i pagës minimale.
Ibrahimaj informoi edhe mbi vendimin e sotëm të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave për sektorë kyç si arsimi, shëndetësia, siguria, ku përfshihet policia, policia e burgjeve, Garda, por edhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, ashtu sikurse është reflektuar dhe vendimi i rritjes së pagës minimale edhe për të gjithë punonjësit e sektorit mbështetës që punojnë në administratën publike.