AKTUALITET, 29 Korrik 2024, 09:44

Ndryshimet në qeveri, shtyhet për nesër seanca e posaçme plenare për betimin e ministrave të rinj dhe kryetares së Kuvendit

Ndryshimet në qeveri, shtyhet për nesër seanca e posaçme

Seanca e posaçme parlamentare për ndryshimet në qeveri dhe Kuvend, e cila ishte parashikuar për sot pasdite është shtyrë për ditën e nesërme.

Kryeministri Edi Rama njoftoi dje ndryshime të papritura në qeveri gjatë mbledhjes së Kongresit Kombëtar të Partisë Socialiste. Ndërkohë, më pas Kryeministri pati një takim në Presidencë me Presidentin Bajram Begaj, i cili pritet të dekretojë ndryshimet.

Por ndërkohë që priten dekretimet, seanca e parashikuar për sot është shtyrë për nesër në orën 18:00.

Në seancën plenare pritet të votohen nga deputetët emrat e ministrave të rinj të kabinetit Rama.

Kujtojmë se sesioni parlamentar u mbyll të premten, ndërsa në mënyrë krejt të papritur Lindita Nikolla dha dorëheqje nga posti i kryeparlamentares. Ajo deklaroi se vendimi ishte për arsye personale, ndërsa në vend të saj Rama propozoi Elisa Spiropalin.

Të gjitha ndryshimet që prezantoi Rama

Elisa Spiropali – lë postin e ministres së shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin – Emërohet Kryetare e Kuvendit pas dorëheqjes së Lindita Nikollës

Taulant Balla – Largohet nga posti i ministrit të Brendshëm – Emërohet ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin – Post i mbajtur deri sot nga Elisa Spiropali

Ervin Hoxha emërohet Ministër i Brendshëm – Post i mbajtur deri sot nga Taulant Balla. Hoxha aktualisht mbante postin e kreut të IKMT-së

Petrit Malaj – Emërohet Ministër i Financave – Post i mbajtur deri sot Ervin Mete. Malaj aktualisht mbante postin e kreut të AKBN-së

Pirro Vëngu –Emërohet  Ministër I Mbrojtjes  – Post i mbajtur deri sot nga Niko Peleshi! Vëngu aktualisht mbante postin e Drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit

Bledi Çuçi –  Ikën nga posti i kryetarit të grupit PS –  Emërohet Nënkryetari i parlamentit, post i mbajtur deri sot nga Ermonela Felaj.

Niko Peleshi – Ikën nga posti i Ministrit të Mbrojtjes – Emërohet kreu i grupit PS.