AKTUALITET, 14 Qershor 2023, 16:59

"Na mashtrove me makinën", dy vëllezërit dhe një tjetër marrin peng dhe dhunojnë të riun, arrestohen. E pëson dhe denoncuesi

"Na mashtrove me makinën", dy vëllezërit dhe një

Policia e Kavajës ka arrestuar tre persona, pasi akuzohen se pasi kanë marrë peng një 22-vjeçar e kanë dhunuar.

Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave ranë shtetasit Kristi dhe Enea Dilo (vëllezër), Renaldo Shala, të cilët akuzohen se kanë dhunuar të riun Xhuljano Diko. Autorët dyshonin e i riu i kishte mashtruar për të shitur një automjet me vlerë 4000 euro. Po ashtu pas hekurave ka rënë dhe i dhunuari, nën akuzën e mashtrimit. 

Njoftimi i policisë:

I hoqën lirinë një 22-vjeçari dhe e dhunuan atë, pasi pretendonin se i kishte mashtruar për të shitur një automjet me vlerë 4000 euro, kapen menjëherë pas njoftimit dhe vihen në pranga 3 shtetas (2 prej tyre vëllezër). Vihet në pranga edhe 22-vjeçari, për dyshime për mashtrim.

Sekuestrohet automjeti për shitjen e të cilit dyshohet se ka mashtruar 22-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kishin hequr lirinë për disa minuta, një 22-vjeçari, dhe e kishin dhunuar atë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Preteksti”. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u bë e mundur zbardhja e plotë e këtij rasti, si dhe kapja dhe arrestimi i shtetasve përgjegjës, konkretisht i shtetasve:

K. D., 32 vjeç dhe E. D., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë (vëllezër), si dhe i shtetasit R. Sh, 25 vjeç, banues në Durrës.

Nga këto veprime dyshohet se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë me forcë në një automjet, shtetasin Xh. D., e kanë dhunuar atë dhe i kanë hequr lirinë për disa minuta, pasi pretendonin se ky shtetas kishte mashtruar shtetasin R. Sh., për t’i shitur një automjet me vlerë 4000 euro, të cilin e kishte marrë me qira, nga shtetasit K. D. dhe E. D.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua edhe shtetasi Xh. D., 22 vjeç, banues në Durrës, si autor i dyshuar i këtij rasti mashtrimi. Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe u sekuestrua automjeti për të cilin dyshohet se ka mashtruar shtetasi Xh. D. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.