AKTUALITET, 14 Qershor 2023, 13:05

Sanksionet e ndërkombëtarëve për Kosovën, mediat në Bruksel: Rrezikohet procesi i liberalizimit të vizave

Sanksionet e ndërkombëtarëve për Kosovën, mediat

Kosova mund të përballet me sanksione nga komuniteti euroatlantik për shkak të tensioneve të krijuara në Mitrovicën veriore. Kështu thanë burime të nivelit të lartë dhe diplomatik për EURACTIV, ndërkohë kryeministri shqiptar Edi Rama anuloi takimin e tij të planifikuar me homologun e tij kosovar, Albin Kurti të mërkurën, duke përmendur masat në pritje si një nga arsyet.

EURACTIV u informua nga një burim i nivelit të lartë se BE dhe SHBA po përgatisnin një numër sanksionesh kundër Kosovës. Kjo u përforcua më vonë nga komentet e Ramës dhe burimeve të tjera diplomatike që konfirmuan se sanksionet ishin të pashmangshme.

Sanksionet e përmendura në një notë të brendshme diplomatike të ofruar nga burimi përfshijnë ngrirjen e fondeve të BE-së, ndalimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe proceset e anëtarësimit për institucionet ndërkombëtare.

Mes këtyre masave, paralajmërohet se do të ketë dhe sanksione individuale ndaj liderëve dhe zyrtarëve të lartë kosovarë. Burimi gjithashtu i bëri thirrje opozitës që të mbështesë BE-në dhe SHBA-në në përpjekjet e tyre për të stabilizuar situatën dhe gjithashtu të deklarojnë nëse i mbështesin obligimet e Kosovës në dialogun e vazhdueshëm të mbështetur nga BE-ja. Një burim i dytë diplomatik i tha EURACTIV se ata ishin në dijeni të një dokumenti që parashikonte sanksione të mundshme që po qarkullonin.

Rama dhe Kurti do të takoheshin të mërkurën në Gjakovë për të diskutuar një sërë marrëveshjesh dypalëshe, por kryeministri shqiptar anuloi mbledhjen në momentin e fundit. “Takimi i dy qeverive Shqipëri-Kosovë është anuluar”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar tha se kishte kërkuar një takim konkret me Kurtin dhe ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes për të diskutuar situatën në veri, por kryeministri i Kosovës nuk ishte dakord me formatin e ri.

Si rezultat dhe për shkak të “përkeqësimit çdo orë të marrëdhënieve të Kosovës me gjithë komunitetin euroatlantik, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”. Rama tha dje se pasi foli me kryediplomatin e BE-së Josep Borrell, veprimet e Kosovës “kanë vënë gishtin në butonin që do të vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e krijoi atë”.