AKTUALITET, 20 Shkurt 2026, 17:59

Çmontohet klani i tretë shqiptar i trafikut të drogës në Spanjë, 2 të arrestuar me 80 kg kokainë

Çmontohet klani i tretë shqiptar i trafikut të drogës

Dy shqiptarë u arrestuan në Vigo të Spanjës, ndërsa përpiqeshin të trafikonin 80 kilogramë kokainë nga Ekuadori, të cilën do e tërhiqnin nga terminali i portit, e sjellë me kontejnerë frutash ekzotike. Ky është sekuestrimi i dytë i kokainës në Portin e Vigos deri më tani këtë vit dhe klani i tretë i shqiptarëve të goditur nga Guardia Civil. Një operacion i përbashkët i Policisë dhe Mbikëqyrjes Doganore e Agjencisë Tatimore çoi në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë, ndërsa ata përpiqeshin të hynin në Portin e Vigos për të marrë sasinë e drogës.

Sipas një deklarate të përbashkët nga të dyja agjencitë, operacioni filloi pasi Njësia e Analizës së Rrezikut të Doganës së Vigos përzgjodhi kontejnerin. Inspektimi me një skaner rreze X zbuloi drogën e fshehur në sistemin e ftohjes së kontejnerit. Hetimi pasues identifikoi një organizatë kriminale shqiptare të përfshirë në trafikun e drogës, objektivi i së cilës ishte të rimerrte kokainën e ruajtur në port. Përpjekja ndodhi në orët e para të së dielës, më 15 shkurt, kur dy të dyshuarit u arrestuan ndërsa përpiqeshin të hynin në kontejner.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan 61 pako kokainë, si dhe mjetet e përdorura për të tentuar nxjerrjen e drogës, duke përfshirë një shkallë të palosshme, një trapano për të hapur kontejnerët, lidhëse kabllosh, dy telefona celularë, katër çanta dore dhe një automjet.

Një kontroll i mëvonshëm i plotë i kontejnerit zbuloi nëntë pako të tjera me kokainë, duke e çuar sasinë totale të sekuestruar në mbi 80 kilogramë (foto posht1% momenti kur dy shqiptarët hyjnë në port). Ky është sekuestrimi i dytë i kokainës në Portin e Vigos këtë vit, duke përforcuar efektivitetin e forcave të sigurisë në luftën kundër trafikut të drogës në Galicia, siç është theksuar nga autoritetet, informon media spanjolle (VIDEO këtu).

Numërohen më shumë se 125 pika droge të shkatërruara dhe 280 të arrestuar gjatë vitit 2025 dhe aksionet janë në vijim, me dy goditje të fuqishme për këtë vit në Vigo.