AKTUALITET, 15 Shkurt 2022, 17:49

Çmontohet banda shqiptare e trafikut të drogës/ Vihen në pranga "kokat" e organizatës, si e kishin mbushur Spanjën me marijuanë. Përplasjet e përgjakshme me bandat e tjera

Çmontohet banda shqiptare e trafikut të drogës/ Vihen në

Policia spanjolle ka çmontuar një bandë shqiptare të trafikut të drogës. Në operacionin e policisë spanjolle kanë rënë në pranga shtatë persona, ku katër prej tyre janë lënë në burg ndërsa janë sekuestruar 19,000 rrënjë kanabis sativa. Në këtë operacion janë çmontuar edhe dy plantacione të mëdha marijuanë në provincat e Barcelonës dhe Gironas.

Organizata kriminale përbëhej nga shtetas shqiptarë, të cilët trafikonin drogën drejt vendeve evropiane përmes njerëzve të tyre. Po ashtu janë arrestuar edhe shtetas spanjollë të cilët siguronin logjistikën e nevojshme që banda e trafikut të drogës të vendosej në Katalonjë, duke siguruar strehim dhe automjete për anëtarët e grupit kriminal.

Ky operacion policor është faza e dytë e një hetimi që filloi shtatorin e kaluar, kur agjentët kapën 14,000 rrënjë të tjera marijuanë dhe arrestuan personin përgjegjës për ruajtjen e plantacionit.

Hetimi nisi shtatorin e kaluar kur falë kanaleve të bashkëpunimit policor ndërkombëtar, agjentët spanjollë lokalizuan dy plantacione të mëdha marijuanë në një zonë të pyllëzuar të Katalonjës, që menaxhoheshin dhe mbroheshin nga një organizatë kriminale me origjinë shqiptare me degë të shpërndarë në të gjithë Evropën, shkruajnë mediat spanjolle. 

Në fazën e parë, agjentët arrestuan një shtetas spanjoll, përgjegjës për ruajtjen e plantacionit. Ndërsa me hetimet e mëpasshme, agjentët spanjollë konstatuan një rritje të kultivimit të marijuanës në këtë zonë, por edhe zonat e izoluara të qyteteve, të cilat ishin vështirë për t’u aksesuar apo në rastet kur ishin të vendosura në zona malore, pranë qendrave urbane për të mos tërhequr vëmendjen e policisë.

Hetuesit verifikuan se banda e trafikut të drogës drejtohej nga shtetas shqiptarë dhe spanjollë dhe se organizatorët kryesorë të dërgesave të drogës qëndronin në provincën e Gironas.

Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se organizata ishte përfshirë në përplasje, grabitje të drogës me banda të tjera me të cilat ishte në konflikt.