AKTUALITET, 4 Gusht 2025, 16:38

"Ministri kërcënoi vëzhguesit!"/ Ministria e Jashtme reagon pas akuzave të forta të Sali Berishës

"Ministri kërcënoi vëzhguesit!"/ Ministria e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas pretendimeve të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, se ministri Igli Hasani ka kërcënuar vëzhguesit e OSBE/ODHIR. 

"Këtu para jush kam sjellë sot letrën kërcënuese që ministri i jashtëm i narkoshtetit, Igli Hasani, iu drejton me datën 12 maj, sapo lexohet raporti, zonjës Farah Karimi, koordinatore speciale dhe lider i misionit afatshkurtër të OSBE-së", deklaroi Berisha. 

Në një deklaratë zyrtare, MEPJ sqaron se “nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak për ushtrim presioni ndaj tyre.” Ministria thekson se është praktikë standarde në çdo proces zgjedhor që autoritetet shtetërore të shtetit pritës të përcjellin sqarime dhe kontekst shtesë mbi gjetjet e raportit paraprak të vëzhguesve.

“Sqarimet janë dërguar për t’u konsideruar në përpilimin e raportit përfundimtar, bazuar në fakte dhe prova. Marrja në konsideratë e tyre është në diskrecion të plotë të Misionit të ODIHR-it,” thuhet në reagim.

REAGIMI I PLOTË I MEPJ:

Në lidhje me pretendimet e sotme të Kryetarit të Partisë Demokratike mbi letrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme drejtuar institucioneve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 në Shqipëri, sqarojmë se:

Siç është e qartë dhe në letrën e përmendur, nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak presion ndaj tyre.

Është në praktikën normale të çdo procesi zgjedhor, që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin pranë Misionit vëzhgues saktësime teknike dhe kontekst lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të cilat vlerësohet se janë të nevojshme për t’u konsideruar në një raport përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova.

Edhe në rastin në fjalë, janë paraqitur sqarime që janë vlerësuar se mund të merren parasysh nga raportuesit gjatë hartimit të Raportit përfundimtar. Sigurisht, marrja në konsideratë apo jo e sqarimeve, është ne diskrecionin e plotë të Misionit vëzhgues.

Kujtojmë se edhe vetë ODIHR ka reaguar më parë që nuk ka pasur një presion të tillë.

MEPJ mbetet gjithmonë e angazhuar për të respektuar pavarësinë dhe integritetin e çdo mekanizmi vëzhgues në përputhje me mandatin që i është ngarkuar nga ODIHR.