AKTUALITET, 11 Shkurt 2026, 09:43

Ministri i Drejtësisë, Lamallari dënon dhunën ndaj policëve në protestën e Berishës: Sulm i organizuar kriminal

Ministri i Drejtësisë, Lamallari dënon dhunën ndaj

Ministri i Drejtësisë ka reaguar përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale ndaj dhunës kundrejt punonjësve të policisë nga protestuesit e PD. Besfort Lamallari shprehet se akte të tilla janë shkelje flagrante dhe e dënueshme e së drejtës për tubim.

Gjithashtu ai ka shprehur solidaritet për familjarët e të lënduarve, ndërsa e quan protestën një sulm të organizuar kriminal.

“Mirënjohje për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët për fat të keq, krahas mundimit të përditshëm për të ofruar më shumë siguri për qytetarët, u duhet të përballen me vetëpërmbajtje duke rrezikuar dhe jetën nga akte të tilla kriminale, të cilat janë një shkelje flagrante dhe e dënueshme e të drejtës legjitime për tubim paqësor!

Solidaritet me familjarët e punonjësve të lënduar dhe të gjithë ata të cilët kanë ndjekur me ankth përmes medias se si prindërit, bijtë, bashkëshortët dhe vëllezërit e tyre rrezikuan jetën nga një sulm i nxitur dhe i organizuar kriminal”, shkruhet krah videos.