AKTUALITET, 15 Qershor 2023, 09:44

Ministri i Brendshëm i Kosovës: Tre policët u rrëmbyen nga forcat serbe ‘Kobra’ brenda kufirit

Ministri i Brendshëm i Kosovës: Tre policët u rrëmbyen nga

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Kurti pas mbledhjes së Këshillit ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të dënojnë rrëmbimin e tre zyrtarëve të policisë së Kosovës.

Zveçla ka thënë se Serbia po mundohet të pengojë shtrirjen e sovranitetit territorial të shtetit të Kosovës.

“Beogradi ndërmori një hap të turpshmëm të papranueshëm duke rrëmbyer 3 zyrtarë të policisë sonë.

Operacioni ka qenë organizuar nga ekipi special i Serbisë ‘Kobra’. Bëhet fjalë kur më herët ka pasur kontrabandë dhe ajo rrugë ishte ndërprerë nga ne. Ka qenë e pamundur që policët tanë të kalojnë në territorin e Serbisë siç thotë propaganda serbe.

Ky akt kriminal është bërë si akt hakmarrje për arrestimin e një krimineli. Serbia po mundohet të pengojë shtrirjen e sovranitetit tonë në të gjithë territorin.

Ky akt kriminal duhet të dënohet ashpërsisht nga faktori ndërkombëtar sepse shfaq fytyrën e vërtetë të Serbisë. Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të policëve tanë”, ka thënë ministri Zveçla.