AKTUALITET, 2 Mars 2023, 15:51

Metaliaj replikë me Manjan: Keni ardhur paketë në Lezhë, dy për një, të dy vëllezërit siamezë, me 14 maj do ta merrni përgjigjen

Metaliaj replikë me Manjan: Keni ardhur paketë në Lezhë, dy

Parlamenti sot është kthyer në një arenë përplasjesh politike mes opozitës dhe qeverisë. Deputetët e PD, me në krye Berishën kanë kërkuar mocion me debat me kryeministrin, Rama për skandalin me zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal.

Në vazhdën e debatit u përfshinë dhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe deputetja e opozitës në qarkun e Lezhës, Lindita Metaliaj.

Metaliaj i ka shpallur ‘luftë’, Manjas dhe kryetarit të bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu duke i kujtuar se do të përballen me një humbje të hidhur në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Metalija ka vazhduar më tej, duke i cilësuar si vëllezër siamezë dhe personat përgjegjës për dosjen 184, ku akuzohen për blerje masive votash dhe deformim të rezultatit të zgjedhjeve.

Metaliaj: "Dua t’i them ministrit të drejtësisë pa drejtësi, që të mos ma tregojë mua vendin ku e kam.

Unë jam deputete e qarkut Lezhë dhe përfaqësoj votuesit e qarkut Lezhë me shumë dinjitet madje, ndaj vendin gjendeni ju zoti ministër se ku e keni, sepse na keni ardhur paketë në Lezhë, dy për një, të dy vëllezërit siamezë, aktorë të dosjes 184 dhe besëlidhjen e Lezhës do ta shikoni më 14 maj, ju edhe kryetari i bashkisë i emëruar, 6% i Ramës.

Besëlidhja e Lezhës do të ju largojë njëherë e mirë të dyve bashkë, dhe Lezha do të ju kthehet banorëve të Lezhës, sepse do ti kthejmë nderin dhe dinjitetin Lezhës dhe lezhanjëve."