AKTUALITET, 2 Mars 2023, 12:34

“Ç’është kjo ‘dashuri’ e madhe me Mcgonigal”/ Gazment Bardhi: Rama të mos fshihet pas imunitetit diplomatik

“Ç’është kjo ‘dashuri’ e madhe me

“Foli 45 minuta, por asgjë nuk sqaroi”. Kjo ishte deklarata e deputetit demokrat Gazment Bardhi nga foltorja e Kuvendit, duke iu referuar fjalës së mbajtur nga kryeministri Edi Rama.

Deputeti tha se Rama nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje dhe se sipas tij përdori vetëm metafora dhe një lumë akuzash ndaj opozitës shqiptare. E paqartë sipas demokratit mbetet edhe arsyeja përse kryeministri kishte një marrëdhënie kaq të ngushtë me ish-shefin e FBI-së.

Bardhi gjithashtu shtoi se “kryeqeveritari u soll si një i pandehur, që fshihet pas imunitetit diplomatik, por nuk jep asnjë përgjigje për përfshirjen e tij në aferën më të madhe të këtyre 30 viteve.”

Bardhi: Për më shumë se 1 muaj, opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar është njohur me një nga dosjet më të pista të FBI-së – korruptimin nga ana e kryeministrit në detyrë të Shqipërisë Edi Rama të një prej zyrtarëve më të lartë të FBI-së, shefit të zyrës së kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Charles Mcgonigal. Deri tani është e njohur botërisht se 2 njerëz e kanë korruptuar zyrtarin e lartë të FBI-së. I pari është oligarku rus, miku i Putinit, Oleg Deripaska. I dyti është kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s, Edi Rama. Të dy me të njëjtin qëllim: të përdorin privatisht fuqinë e FBI-së kundër rivalëve, njëri në biznes, tjetri në politikë.

Pra, ish shefi i FBI, është sot në gjykim dhe pritet të dënohet për akuza që shkojnë deri në 20 vjet burg për shkak të raportit privat, të fshehtë, korruptiv që ka ndërtuar me dy individë:

1- me oligarkun rus, njeriun e afërt të Putinit dhe

2- me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, bashkë me 2 bashkëpunëtorë në këtë aferë, shqiptaro-amerikanin Agron Neza dhe këshilltarin privat të Edi Ramës, por me kredenciale qeveritare, Dorian Duçka.

Por nëse prisnit që sot Edi Rama të jepte shpjegim si Kryeministër, besoj pas fjalimit të tij e kuptuat se në këtë çështje u soll më shumë si i pandehur sesa si Kryeministër. Të gjithë ne ia kuptojmë hallin. Hallin e ka të madh, por nuk e mirëkuptojmë dot. Nuk e mirëkuptojmë dot sepse Edi Rama nuk mund të vijë këtu dhe të sillet si i pandehur, të kërkojë mëshirë si i pandehur, të betohet dhe përbetohet, njëlloj si miku i tij McGonigal se është i pafajshëm, ndërkohë që mban veshur kostumin e Kryeministrit.

Si Kryeministër i Shqipërisë, ke kaluar çdo vijë të kuqe! Je përfshirë në aferën më të rëndë në këto 32 vite. Më e renda sepse ka brenda pasoja të shumëfishta.

Ka brenda korrupsionin, ka brenda paratë e pista, ka brenda intrigën, ka brenda trafikun e influencave, ka brenda abuzimin me pushtetin për të goditur kundërshtarin me mjete jo demokratike, ka brenda cënimin e sigurisë kombëtare, ka brenda cenimin e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik, SHBA, ka brenda turpërimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, ka brenda tentativën tënde për të diskretituar kredibilitetin e institucioneve të SHBA në Shqipëri, duke dëmtuar rëndë imazhin e mikut tonë të madh strategjik dhe aleatit në NATO, SHBA-së. Shkurt, është një pisllëk kriminal, që vetëm Edi Rama mund të kryejë.

Vetëm në një pisllëk kriminal ndodh që Agron Neza, dëshmitari i rremë i Edi Ramës në hetimin e nxitur prej tij dhe të nisur nga miku i tij i korruptuar McGonigal, paguan të paktën 225 mijë dollarë në dorë, këshilltari i Edi Rames shpenzon mijëra dollarë të tjerë për të gjetur dëshmitar dhe për ti intervistuar nëpër Europë, dhe merr informacione nga zyra e Kryeministrit për këtë çështje. Por për çfarë e bën Agron Neza këtë gjë? Për të goditur Partinë Demokratike? Kush përfitonte nga kjo? Agron Neza? Jo. Nga kjo përfitonte vetëm dhe vetëm Edi Rama.

Duke goditur Partinë Demokratike, duke i ofruar shqiptarëve për 3 vjet rresht telenovelën me rubla ruse, duke bërë rolin e zëdhënësit të FBI në Shqipëri, duke shpifur e sulmuar Partinë Demokratike në shqip e në anglisht, duke angazhuar paratë e korrupsionit për intriga e sajesa, përkohësisht ia dole të dëmtoje Partinë Demokratike dhe të zhvendosje vëmendjen nga keqqeverisja jote, nga aferat e tua, nga lidhjet e tua të shumëfishta kriminale e korruptive. Përkohësisht ia dole të fitosh pushtet me mjete jodemokratike.

Por në planin tënd kriminal nuk llogarite një detaj. SHBA nuk janë kopshti e vilës tënde në Surrel, sistemi i drejtësisë atje nuk është sistemi që kontrollon ti këtu. SHBA nuk janë Shqipëria e rrënuar që ke ndërtuar ti këtu këto 10 vite. Dhe ja ku jemi sot, brenda ditës: nga paditës u shndërrove në të padituar, nga Kryeministër u shndërrove në të pandehur. Nga zëdhënës i FBI-së në Tiranë u shndërrove në zëdhënësin e oligarkëve rusë në Tiranë. Nga kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s u shndërrove në njeriun që tradhton dhe godet pas shpine mikun dhe aleatin më të madh të vendit tënd në NATO.

Me pak fjalë, nga lideri global u shndërrove në korruptuesin global për të mbajtur me çdo mjet një pushtet që nuk të takon të paktën jo për 2 mandatet e fundit.

Kjo ditë do të vinte. Duhet të kishte ardhur shumë më shpejt, por ja ku jemi, erdhi sot. Ti do të marrësh atë që meriton! Ti, Edi Rama, do të vuash pasojat e akteve të tua kriminale, të korrupsionit tënd të pandalshëm. Dhe më beso! Këto nuk janë retorikë politike! Ti do të kesh pasoja!

Korruptimi me të paktën 225 mijë dollarë i një zyrtari të lartë të FBI-së për interesa kriminalë është një nga ato akte i cili as nuk mund të harrohet. As nuk mund të falet. As nga Shqipëria, as nga Amerika!

Në qershor 2021 kur Presidenti Biden shpalli se lufta ndaj korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë korrupsionit në Shqipëri, është prioritet i SHBA, sepse cënon sigurinë Kombëtare të SHBA-së, shumëkush habitej sesi ishin të lidhura të dyja këto çështje. Por në 24 Janar, secili prej nesh kuptoi që mjafton një Kryeministër i korruptuar në Shqipëri, që të depërtojë dhe të korruptojë një zyrtar të lartë të FBI në SHBA, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare të SHBA. Mjafton një kryeministër i korruptuar në Shqipëri që interesat ruse, apo individë të lidhur me interesa ruse, të sillen me detyrën e tyre, jo si amerikanë, por si rus, të sillen me detyrën e tyre jo si njerëz të drejtësisë apo shtetarë, por si mafiozë.

Në një rreth të mbyllur korruptiv, ekzaktësisht sikur të ishin një organizatë kriminale, Edi Rama përfitonte nga marrëdhënia me Mc Gonigal hetimin e rremë ndaj opozitës, për ta përdorur, siç e përdori politikisht në Shqipëri, McGonigal përfitonte valixhet me paratë e korrupsionit dhe interesa financiare që paguheshin përmes Agron Neza, ndërsa ky i fundit përfitonte firmën e Kryeministrit të Shqipërisë dhe qeverisë së tij për interesat e veta financiare.

Në një tender të sajuar për dhënien me koncesion të vendburimeve Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë, shpall fitues kompaninë Terraoil Swiss/Transoil Group, duke urdhëruar pajisjen me licencë marrëveshjeje të koncesionarit. Pronari i kësaj kompanie vetëm pak kohë më vonë, bëri aksioner mikun e Edi Ramës në FBI, McGonigal dhe bashkëpunëtorin e tij Agron Neza, duke u shitur aksione për 3 dollarë.

Nuk ka rëndësi ligji në këtë rast. Nuk ka rëndësi edhe që dëmi financiar që i bëhej shtetit shqiptar kapte shifrën e 300 milion dollarëve. Këtë nuk e them unë, këtë e thotë ky VENDIM I GJYKATËS ADMINISTRATIVE, që evidenton në detaje sesi Qeveria e Edi Ramës shkeli ligjin, i shkakton shtetit 300 milion dollarë dëm, vetëm e vetëm që miku i korruptuar i Edi Ramës, McGonigal  dhe individë të lidhur me të si Agron Neza, të përfitonin atë që kishin kërkuar pas ndereve të pista që i kishin bërë Edi Ramës në Amerikë.

Vetëm në një pisllëk kriminal ndodh që Kryeministri i një vendi anëtar në NATO, aleat me SHBA-të, të korruptojë një zyrtar të lartë amerikan  dhe të vendosë pasuritë e vendit në shërbim të korrupsionit të tij. Vetëm në një pisllëk kriminal ndodh që ndërsa përbetohesh për partneritet me SHBA-në, për rubla ruse, vetëm 2 javë pasi Departamenti i Thesarit i SHBA sanksionon oligarkun rus, mik të Putinit, ti i jep atij një investim strategjik në vlerën e 7 milion eurove.

Edi Rama e di më mirë se kushdo se kur organizon një krim. Herët a vonë do të vuash edhe pasojat. Ky krim nuk kalon me qeshje dhe nënqeshje! Nuk e kalon me të pavërteta e justifikime të trasha këtë që ke bërë. Ke kryer aktin më të rëndë që nuk ka guxuar askush tjetër në botë ta kryejë. Ke korruptuar një zyrtar të lartë amerikan dhe je korruptuar prej tij. Ke shndërruar zyrën e Kryeministrit dhe pushtetin që buron prej tij, si paradhomë të interesave ruse, të interesave kriminale dhe korruptive. Ke përdorur zyrën e Kryeministrit për të goditur me mjete jodemokratike opozitën.

Sot si shqiptar ke vetëm një detyrim: krimin që ke kryer, turpin që ke kryer, mbaje vetëm për vete. Mos ia ngarko edhe këtë në shpinë shqiptarëve dhe Shqipërisë. Boll kanë vuajtur shqiptarët dhe Shqipëria nga lidhjet e tua kriminale. Dorëhiqu dhe vendosu në dispozicion të drejtësisë amerikane dhe shqiptare. Boll u kape me thonj pas karriges së Kryeministrit. Boll u fshehe pas pushtetit politik në Shqipëri dhe imunitetit diplomatik në SHBA. Ato nuk vlejnë përjetësisht dhe nuk mund të fshihesh përjetësisht pas tyre.