AKTUALITET, 24 Dhjetor 2022, 17:43

Meta: Me frymëzimin e Krishtlindjes të jemi shembulli i solidaritetit, jo i egoizmit dhe braktisjes

Meta: Me frymëzimin e Krishtlindjes të jemi shembulli i solidaritetit,

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ndarë portretin familjar duke përcjellë një urim për të gjithë besimtarët e krishterë që sonte kremtojnë krishtlindjet.

Meta thotë se është e rëndësishme që dashurinë dhe mirësitë që shpallim me fjalë t’i kthejmë me përulësi në vepra. Ai ka një urim të veçantë edhe për të gjithë të rinjtë dhe të rejat për të gjetur vetveten dhe kurajon për të mos u dorëzuar para vesit dhe dëshpërimit.

“…por për të gjetur forcën dhe për të marrë në dorë fatet e veta për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu, sepse Shqipëria u përket të rinjve!”, shkruan Meta.

Postimi i Ilir Metës

GËZUAR KRISHTLINDJEN të gjithë besimtarëve të krishterë dhe mbarë popullit shqiptar!

Lindja e Krishtit me mesazhin e përjetshëm të lindjes së shpresës dhe dashurisë së pakufishme uroj të ngrohë zemrat tona për të sjellë më shumë lumturi, gëzim, begati dhe bekime në çdo vatër familjare.

Me frymëzimin e Krishtlindjes të jemi çdo ditë shembulli i përkryer i solidaritetit, jo i egoizmit dhe jo vetëm të mirës personale, i paqes dhe jo të dhunës, të vëmendjes dhe kujdesit, jo të harresës e braktisjes, të ndihmës dhe jo të vjedhjes, të shërbimit dhe jo të përjashtimit, të dëgjimit dhe jo të arrogancës, veçanërisht ndaj atyre që më shumë se kurrë kanë nevojë për ndihmë, përkrahje dhe mbështetje.

Është e rëndësishme që dashurinë dhe mirësitë që shpallim me fjalë t’i kthejmë me përulësi në vepra sepse vetëm një dashuri në veprim garanton një shoqëri në paqe, në mirëqenie dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Një urim të veçantë për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, për të gjetur vetveten, shpresën dhe kurajën për të mos u dorëzuar para vesit dhe dëshpërimit, por për të gjetur forcën dhe për të marrë në dorë fatet e veta për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu, sepse Shqipëria u përket të rinjve! Për shumë mot GËZUAR KRISHTLINDJEN!