AKTUALITET, 20 Qershor 2025, 12:47

“Meta ka zero pasuri”/ Seanca për presidentin e PL u shty, flet avokati: Prokurori tërhiqet nga akuza për lobimin në SHBA!

“Meta ka zero pasuri”/ Seanca për presidentin e PL u shty, flet

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani ka deklaruar se prokurori është tërhequr nga akuza për lobim të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga pikat kyçe, siç thotë ai, mbi të cilat ishte ndërtuar dosja hetimore për korrupsion.

Avokati bëri me dije për mediat se prokuroria ka pranuar se nuk ekziston më vepra penale për lobim, pasi dokumentacioni i ardhur nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë konfirmon se nuk ka pasur pagesë prej 100 mijë eurosh, siç ishte pretenduar më parë.

Sipas tij, pagesa ka qenë vetëm 15 mijë euro dhe është ndërprerë më pas, duke mos përmbushur kriteret për të konsideruar këtë veprim si penal.

Kujtim Cakrani, avokati i Ilir Metës: U paraqitën 5 fashikuj, tre prej tyre ishin përkthime nga cështja e lobitmi në SHBA. Prokurori e pranoi në seancë se  lobimi në SHBA ka rënë si vepër penale për zotin Meta, pasi nga emailit që kanë ardhur nga Departamenti i Drejtësisë vërtetohet se Meta nuk ka kryer pagesë 100 mijë euro sic është thënë deri më sot, por ka qenë një pagesë 15 mijë euro, që është ndërprerë më pas.

U mbars malli dhe polli një mi. Sot prokurori ka kërkuar që akuza sa i përket lobimit në SHBA nuk qëndron më. Ky është një lajm shumë i mirë, sepse është një akuzë që ka ndërtuar korrupsionin ndaj zotit Meta.

Më tej avokati u shpreh se nuk kanë kërkuar lirim me garanci pasurore, pasi sipas tij Ilir Meta nuk ka asnjë pasuri.

“Zoti Meta nuk ka pasuri, Janë zero pasuritë e Metës. Të marrin Elon Musk ti çojnë në hënë për të gjetur pasuritë e Ilir Metës, për të cilën është ndërtuar ai mal i madh i akuzave. Zoti Meta e ka zero pasurinë”, tha avokati.

Por, avokati thotë se Meta nuk ka përdorur kartën, por ka qenë në dispozicion të ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi. Ai thotë se Meta po mbahet në qeli pa prova. Pyetjes nëse Meta do e kërkojë lirinë kundrejt garancisë pasurore, avokati tha se Meta nuk ka pasuri. “Të marrin Musk të çojnë në hënë që të gjejnë pasuritë e Metës”, u shpreh ai, duke theksuar se SPAK ka nisur një material me 31 faqe.

“Meta nuk ka karta, nuk ka përdorur. Kartën e ka përdorur ish bashkëshortja, nuk ka ardhur asnjë numër llogarie në emër të zotit Meta. Nuk u vumë në dijeni se nuk ekziston. Kërkuam kohën tonë që të shohim se çfarë organi i procedurës pretendon dhe pse duhet të qëndrojë në paraburgim. Nuk i vendosim dot garanci pasurore, se Meta nuk ka pasuri. Pasuritë në planetin tokë janë zero. Të marrin Musk të çojnë në hënë që të gjejnë pasuritë e Metës. Nëse do ia jap unë pasurinë, do ia lë pronat e mia gjykatës që ta lirojnë metën. Por, mos kërkoni ju me pyetjet tuaja që të luhet garanci, Meta s’ka pasuri. Ju doni patjetër të thoni që meta ka pasuri. Po mbahet aludime.

Unë po e sqaroj për opinion publik, nga kërkimet që ka bërë SPAK, ka kërkuar në Republikën e Shqipërisë në të gjitha vendet ku dyshohej, BE, SHBA, Kanada, Qipro. Meta nuk disponon as pasuri të luajtshme dhe as të paluajtshme. Çfarë mund tu them më shumë. Po mbahet në paraburgim pa asnjë provë, asnjë fakt. Inkuizicion ndaj ish-presidentit. U fol për X, Y, analiza financiare. Ç’punë ka meta me analizat financiare të ish, të ish... Është në formë perfektë, bën palestër. U dënua 10 ditë më urdhër të Ajatollahut të Tiranës, i plotfuqishmi Rama. SPAK ka nisur një material 31 faqe, në datën 26 ora 10:30 kemi seancën tjetër, do flas unë në lidhje me ato që ka folur prokurori”, tha avokati.