TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një tragjedi mund të kishte rezultuar ngjarja e ndodhur në fshatin Krastë në Fushë-Krujë, ku persona të paidentifikuar ende qëlluan me breshëri plumbash drejt hotelit në pronësi të Mandi Vogës, ish-shoferit të ish-prokurorit Arjan Ndoji, i zgjedhur deputet në zgjedhjet e 11 Majit.
Raportohet se në një nga dhomat e hotelit përballë rrugës, ku breshëria e plumbave kapi katin e parë ku ndodhet restoranti dhe katin e dytë, po flinte gjumë djali i pronarit.
Ndërsa Mandi Voga dhe pjesa tjetër e familjes po flinin në dhomat, në anën e pasme të hotelit.
Dyshohet se kanë qenë dy persona të cilët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga kodra përballë hotelit.
Ndërkohë shenjat e plumbave janë të dukshme kudo në ambientet e lokalit dhe hotelit, madje edhe në tavullat e duhanit, si edhe në pemët përreth biznesit.
Në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja, ndërsa ende nuk dihen autorët e ngjarjes, apo arsyet e sulmit ndaj biznesit të Mandi Vogës, njeri me precedentë penalë.
Nderkohe, pronari i lokalit ka qëndruar i rezervuar gjatë marrjes në pyetje, pa dhënë detaje apo dyshime mbi autorët e mundshëm.
Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se hetimet janë shtrirë në disa pista, për shkak të konflikteve të shumta që pronari ka pasur në të shkuarën.
Një ndër pistat kryesore që po shqyrtohet lidhet me një konflikt për çështje pronësie, megjithatë nuk jepen ende detaje të plota.
Autorët dyshohet se kanë dalë nga zona e pyllëzuar dhe kanë qëlluar në drejtim të lokalit, ndërsa mbanin kapuçë në kokë për të fshehur identitetin.
Pas atentatit, ata janë larguar në këmbë në drejtim të pyllit, por nuk përjashtohet mundësia që më pas të jenë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar me automjet.
Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth, me qëllim identifikimin e autorëve