AKTUALITET, 21 Korrik 2022, 19:47

Meta dorëzon Presidencën te Bajram Begaj, çfarë do të ndodhë te ceremonia të dielën

Meta dorëzon Presidencën te Bajram Begaj, çfarë do të

Ditën e dielë, Bajram Begaj merr detyrën si President i Shqipërisë. Ceremonia pritet të nisë në orën 18:00 në Parlamentin e Shqipërisë ndërsa seancën do ta drejtojë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Pas leximit të formulës së betimit, Begaj do të betohet para deputetëve të Kuvendit, dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse.

Ceremonia e dytë do të zhvillohet në ambientet e Presidencës.

Ajo është parashikuar të zhvillohet në orën 19:30. Në këtë ceremoni bëhet dorëzimi i detyrës nga presidenti aktual, Ilir Meta, tek Presidenti i ri, Bajram Begaj, i cili mësohet se do të shoqërohet nga familja e tij.

Në mënyrë simbolike kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, do t'i dorëzojë Presidentit Begaj, Kushtetutën e vendit. Pjesë e ceremonialit do të jetë dhe shoqërimi i emërimit të kreut të shtetit me 21 të shtëna topi.

Pas këtij ceremoniali, Presidenti i ri do të mbajë një fjalë përshëndetëse para personaliteteve të ftuara në këtë aktivitet, si edhe qeveritarëve dhe trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.