AKTUALITET, 21 Korrik 2022, 18:08

Çështja e detit me Greqinë/ Meta i dërgon letër Kuvendit: Rezerva për Kryeministrin dhe Ministrinë e Jashtme, veproni sipas Kushtetutës dhe interesit të Shqipërisë

Çështja e detit me Greqinë/ Meta i dërgon letër

Presidenti Ilir Meta në prag të largimit të tij nga detyra si Kreu i Shtetit i ka dërguar një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.

Në letrën e tij Kreu i Shtetit nënvizon se “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përpara zhvillimit të bisedimeve, duhet të plotësojë gjithë dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor për këtë çështje, që parashikohet në Aneksin 2, bashkëlidhur këtij Autorizimi dhe është pjesë integrale e tij, si dhe të pajisë Grupin Negociator me dokumentacionin e plotësuar”.

Meta thekson se negociatat duhet të realizohen duke ndjekur me përpikëri aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrin e brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit.


Mesazhi i Metës:

Në respekt të transparencës, të rëndësisë së jashtëzakonshme të çështjes dhe të përmbushjes së plotë të detyrimeve kushtetutese nga të gjithë aktorët përgjegjës, sot në prag të mbarimit të mandatit tim në detyrën e Presidentit të Republikës, i nisa një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, znj.Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.

Uroj që çdo deputet ta lexojë me vëmendje, jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik, dhe Kuvendi i Shqipërisë në trajtimin e saj të udhëhiqet nga interesi kombëtar, zbatimi i Kushtetutës dhe vullneti i mirë për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.

I udhëhequr si gjithmonë nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit për çështje madhore, mbetem i hapur për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë jo vetëm deri në mbrëmjen e datës 24 korrik 2022, por edhe përtej.