AKTUALITET, 21 Korrik 2022, 15:45

Britania sanksione ndaj të korruptuarve, reagon Kim: E mirëpresim! Ata që janë përfshirë në korrupsion dhe kanë minuar demokracinë, të përballen me drejtësinë!

Britania sanksione ndaj të korruptuarve, reagon Kim: E mirëpresim! Ata

Ditën e sotme, i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, ka bërë me dije se MB ka ndërmarrë "veprime frenuese kundër disa individëve shqiptarë në lidhje me krimin dhe korrupsionin, të publikuara gjerësisht dhe të dokumentuara".  Ai sqaron se kjo është vala e parë e një serie veprimesh që MB ka ndërmarrë për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë. 

Ndryshe nga SHBA-të, që në shumë raste i publikojnë individët e dezinjuar apo shpallur të padëshirueshëm, siç ndodhi me Sali Berishën, Mbretëria e Bashkuar nuk e ndjek këtë praktikë, por deklaratat e Peach sugjerojnë se masa konkrete janë marrë ndaj disa individëve shqiptarë, ku si arsye përveç krimit listohet edhe korrupsioni. 

Lidhur me këto sanksione të Britanisë ka reaguar ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, e cila thotë se SHBA-të e mirëpresin këtë akt. 

"Ne e mirëpresim këtë akt të rëndësishëm. Ata që kanë abuzuar me besimin e publikut për të pasuaruar veten dhe për të goditur sundimin e ligjit - me fjalë të tjera, ata që janë përfshirë në korrupsion domethënës dhe kanë minuar demokracinë - duhet të përballen me drejtësinë. Askush nuk është mbi ligjin!", shkruan ambasadorja. 

Në statusin e saj në Twitter, Kim përmend në mënyrë eksplicite arsyet pse Sali Berisha u shpall non grata nga SHBA-të, pra korrupsioni domethënës dhe minimi i demokracisë, duke shtuar dyshimet se ish kryeministri mund të jetë target i sanksioneve edhe nga vende të tjera.