AKTUALITET, 22 Korrik 2023, 08:36

Merrnin ryshfet 500 deri në 1500 euro për të kthyer para afatit patentat, dërgohen në gjykatë 25 të pandehur, mes tyre 4 punonjës të Policisë

Merrnin ryshfet 500 deri në 1500 euro për të kthyer para afatit

Prokuroria e Posaçme njoftoi dje se ka përfunduar hetimet paraprake dhe dërguar në Gjykatë dosjen për 25 të pandehur të cilët akuzohen se merrnin ryshfet për të kthyer para afateve patentat e pezulluara.

Mes të pandehurve janë edhe katër punonjës të Policisë së Shtetit. Ata akuzohen se merrnin ryshfet nga 500 deri në 1500 euro. I pandehur është marrë edhe Elio Picoku, me detyrë Shef Seksioni për Shërbimet Ekonomike dhe Personelin, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë dhe policët Alkid Ndreu, Kujtim Xhaja e Amarildo Lika.

Dosja

Sipas SPAK-ut, Alkid Ndreu me detyrë specialist i administrimit të dokumenteve dhe anëtar i OASH, (Organi Administrativ Shtetëror) ka konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke qenë se ruajtja dhe administrimi i lejeve të drejtimit dhe praktikat e vendimeve ka qenë detyra e tij funksionale dhe moskryerja e kësaj detyre ka sjellë përfitime për persona të tjerë, si dhe ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit. Gjithashtu rezulton e provuar se Alkid Ndreu në dy raste ka pranuar përfitim të parregullt monetar në rastin e kthimit para kohe të lejeve të drejtimit të pezulluara duke konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/ 1, 2 i Kodit Penal.

Për Elio Picoku, me detyrë Shef Seksioni për Shërbimet Ekonomike dhe Personelin, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, ka ushtruar ndikim të paligjshëm kundrejt përfitimit monetar, për nxjerrjen e lejeve të drejtimit para afatit të pezullimit për shtetasit: Revi Osmani, Oltjan Muça, Neritan Selmani dhe Altin Koçi duke konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 3 dhe 4 ndërsa për rastin e shtetasve Lidian Broshka dhe Spiro Torre në bashkëpunim me këta dy shtetas i ka ofruar shtetasit Alkid Ndreu përfitimin e parregullt monetar për kthimin para kohe të lejeve të drejtimit të pezulluara duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/1,2 e 25 i Kodit Penal.

Nga hetimi rezulton se shtetasi Elio Picoku ka qenë pika e fundit e kontaktit për qytetarët që kanë pasur lejen e drejtimit të pezulluar apo për personat që kanë qenë ndërmjetës për të marrë lejen e drejtimit nëpërmjet ushtrimit të ndikimit të paligjshëm. Në këtë veprimtari të kundërligjshme janë përfshirë edhe punonjës të tjerë të Policisë, sikurse janë të pandehurit Amarildo Lika dhe Kujtim Xhaja, të cilët kanë ushtruar ndikim të paligjshëm kundrejt përfitimit monetar, për nxjerrjen e lejeve të drejtimit para afatit të pezullimit për shtetas të ndryshëm, duke konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, informoi SPAK. Në rolin e ndërmjetësit në procesin e kthimit të lejeve të drejtimit të pezulluara para afati të përfundimit të masës administrative kanë qenë edhe të pandehurit: Eduart Caka, Revi Osmani, Ilir Tafa, Sefer Gianfrate, Evisjon Salku, Gerald Lusha, Ardit Shehu, Arisjon Rakipi, Arian Lika.