AKTUALITET, 21 Prill 2022, 17:56

Itali/ Avokati shqiptar gjendet i vdekur me fyt të prerë në mes të rrugës

Itali/ Avokati shqiptar gjendet i vdekur me fyt të prerë në mes

Një shqiptar është gjetur i vdekur në Reggio Emilia të Italisë. Viktima është identifikuar si Aineo Redo 49 vjeç, me origjinë nga Bulqiza, por banues prej vitesh në shtetin fqinj. Ai nuk ka asnjë precedent penal.

Mediat italiane raportojnë se 49-vjeçari u gjet me fyt të prerë me thikë. Ka qenë një kalimtar që e konstatoi në rrugë të vdekur dhe më pas lajmëroi policinë.

Hetuesit gjetën në vendngjarje thikën në dorën e viktimës. Pista e parë e hetuesve është vetëvrasja. Por nuk përjashtohet as pista e vrasjes dhe që autori i pretenduar të ketë vendosur thikën në dorën e 49-vjeçarit për të konfonduar hetimet.

Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes dhe rrethanat e ngjarjes. Një element tjetër që pritet të ndihmojë hetimet janë edhe kamerat e sigurisë në zonë, që janë sekuestruar nga hetuesit për t’u analizuar.

Viktima Aineo Redo ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Ai ishte diplomuar në Itali për drejtësi dhe punonte si avokat për çështjet e emigracionit.