AKTUALITET, 23 Prill 2025, 14:58

Mbi 20 mijë të punësuar më 2024, programet e reformuara të nxitjes së punësimit! Lehtësi për të rinjtë, gratë e personat me aftësi të kufizuara

Mbi 20 mijë të punësuar më 2024, programet e reformuara

Mbi 20 mijë persona kanë mundur të punësohen nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit dhe aftësimit profesional.

Ka qenë Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila ka publikuar rezultatet e ndërhyrjeve të saj në tregun e punës për vitin 2024, me një fokus të veçantë te përfshirja e punëkërkuesve nga grupet vulnerabël. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se falë ndërmjetësimit, programeve të nxitjes së punësimit dhe aftësimit profesional, është bërë i mundur punësimi i 20,810 përfituesve në të gjithë vendin.

“Programet e reformuara të nxitjes së punësimit po kthehen në një urë reale drejt integrimit në tregun e punës”, – u shpreh ministri Gonxhja, duke theksuar se qasja gjithëpërfshirëse e MEKI-t synon jo vetëm rritjen e punësimit, por edhe barazinë sociale dhe fuqizimin ekonomik të shtresave më në nevojë. Statistikat për vitin 2024 tregojnë një angazhim të shtuar institucional për të lehtësuar hyrjen në tregun e punës të kategorive, që tradicionalisht kanë hasur vështirësi në këtë drejtim të rinjve pa përvojë, grave, personave me aftësi të kufizuara, të papunëve afatgjatë dhe qytetarëve që përballen me vështirësi ekonomike e sociale. Ministri Gonxhja tha se edhe për vitin 2025 është hartuar një plan konkret masash dhe programesh të strukturuara që do të vazhdojnë të mbështesin këto kategori përmes trajnimeve, subvencioneve për punësim dhe bashkëpunimeve me sektorin privat. “Fokus te përfshirja sociale, barazia dhe fuqizimi përmes punës”, – theksoi ai, duke nënvizuar se MEKI do të vazhdojë të jetë një faktor kyç në krijimin e një tregu pune më të hapur, më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët.

Programet e nxitjes së punësimit

Për vitin 2025, Shqipëria do të vijojë zbatimin e një sërë programesh të nxitjes së punësimit, me qëllim fuqizimin ekonomik të shtresave vulnerabël dhe lehtësimin e integrimit të tyre në tregun e punës. Politikat publike në këtë drejtim janë përqendruar në mbështetjen e të rinjve, grave, të papunëve afatgjatë dhe personave në nevojë, duke ndërtuar ura të qëndrueshme mes aftësimit profesional dhe mundësive reale të punësimit. Programet e vitit 2025 do të jenë të strukturuara në disa drejtime kryesore: aftësimi profesional dhe rikualifikimi, për të rritur përputhshmërinë me kërkesat e tregut të punës; subvencionimi i punësimit, për të nxitur punëdhënësit të angazhojnë persona nga grupet vulnerabël; ndërmjetësimi i drejtpërdrejtë në treg, përmes zyrave të punës dhe platformave digjitale; skema të veçanta për punësimin e të rinjve dhe grave, sidomos në zonat rurale dhe ato më pak të zhvilluara. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe partneriteteve me bizneset private dhe organizatat e shoqërisë civile, me synimin për të rritur efikasitetin e ndërhyrjeve dhe për të ndërtuar një model bashkëpunimi të qëndrueshëm midis sektorit publik dhe privat. Në thelb, këto programe nuk synojnë vetëm krijimin e vendeve të reja të punës, por edhe përfshirjen sociale, barazinë gjinore dhe rritjen e autonomisë ekonomike të individëve. Qasja gjithëpërfshirëse synon që askush të mos mbetet pas, sidomos në një treg pune që është në transformim të vazhdueshëm.