AKTUALITET, 2 Tetor 2025, 10:02

Mazniku dëshmon në GJKKO për dosjen 5D: Nuk e njoh Nestor Muhamtmellarin, me Redi Mollën, Qaton e Tushen kam pasur raporte të mira

Mazniku dëshmon në GJKKO për dosjen 5D: Nuk e njoh Nestor

Ish-zv.kryetari i Bashkisë Tiranë, Arbian Mazniku, po dëshmon në Gjykatën e Posaçme në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve te dosjes “5D”.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Klodian Braho, Mazniku ka shpjeguar se në periudhën 2019-2022 ka qenë nënkryetar dhe gjatë kesaj kohë ka pasur edhe kompetencat e autoritetit nën kontraktor për procedurat e tenderimit.

“Detyrat e titullarit të autoritetit kontraktor, kam bërë verifimimin final të procedurës. Sipas ligjit, nuk merresha me lëndën e kërkesës, por vetëm verifikimin e hallkave të procesit. Raporti përmbledhës është raport i përbëre nga eksperte. Ne kalonim me dhjetëra procedura në ditë. Në të gjitha rastet kujdesesha që personat përgjegjës të fushës respektive, kishin firmosur dokumente dhe bërë detyrat dhe unë më pas vetëm e certifikoja si proces. Në thelb miratimi është certifikim i faktit që personat e fushave respektive, hallkat administrative, kanë bërë detyrat e tyre”, citohet të ketë thënë Mazniku, përcjell A2 CNN.

I pyetur nëse njeh Mariglen Tushen dhe Qaton, ai është përgjigjur: “Kam pasur marrëdhënie kolegësh me ta. Kam pasur kontakte telefonike me Redi Mollën. Ishim kolegë. Nuk kam pasur dijeni që Molla, Tushe, Qato të kenë pasur interesa financiare”.

Av i Redi Mollës: “Bashkia ka tenderuar disa procedura. Ka qëlluar ndonjëherë ndonjë punë e pambaruar, apo projekt i mbetur në mes?”.

Mazniku: “Kur ka qindra projekte, ka raste kur ndonjë projekt ngec. Ka pasur raste shpronësimesh, apo një kanalizim, apo një fije rryme që s'ishte në rivelimin paraprak. Këto shtynin afatet në kohë”.

PJESE NGA DËSHMIA

Mazniku: Në vitet 2019 – 2021 kam qenë nënkryetar i bashkisë së Tiranës
Me firmën e kryetarit kam qenë tituallar i autoritetit kontraktor. Titullari i autoritetit kontraktor firmos në fund dhe dokumentat përpiloheshin nga anëtarët. Nestor Muhametllarin nuk e njoh Redi Mollen, Qaton dhe Tushen i njoh dhe kam patur marrëdhënie shumë të mira pune. Kam patur kontakte të vazhdueshme me ta
S’kam biseduar kurrë me ta për Nestor Muhametllarin

SPAK: Keni refuzuar ndonjë procedurë?

Mazniku: Jo asnjëherë.

Kujtojmë se në fund të viti 2024 SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, të përfshirë në dosjen 5D.

Redi Molla dhe Mariglen Qato, si dy ish drejtorë të Bashkisë së Tiranës dhe 5 të tjerë ish zyrtarë, u dërguan për gjykim në GJKKO si bashkëpunëtorë në një skemë që sipas SPAK është korrupsioni dhe pastrimi parash të kryer nëpërmjet kompanisë 5 D Konstruksion.

Përveç Mollës e Qatos, të cilët akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie të pandehur janë edhe Taulant Tusha, Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku për shkelje të barazisë në tendera dhe biznesmeni Nestor Muhametllari si dhe Shoqëria 5D të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.

Sipas SPAK, është provuar se i pandehuri Redi Molla në cilësinë e ish-drejtorit të përgjithshëm të shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a, si dhe i pandehuri Mariglen Qato si ish-drejtor i departamentit mbështetës në këtë shoqëri dhe në cilësinë e ish-kryeinspektorit të IKMT në Bashkinë Tiranë, kanë qenë pronarët “de facto” të shoqërisë 5D Konstruksion sh.p.k, duke përdorur pronarë fiktivë, ndërsa vetëm në këtë dosje të dërguar për gjykim kanë marrë 12 tendera duke përfituar rreth 2 milionë euro në periudhën 2016-2020. Hetimet kanë zbuluar se në periudhën 2016-2018, kur Qato ka ushtruar funksionin e drejtorit të Departamentit Mbështetës në UKT, shoqëria 5D ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik 4 tendera, nga Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.