AKTUALITET, 11 Dhjetor 2022, 12:56

Mashtronin qytetarët e vendeve të BE-së përmes “call center-ave”, jepet masa e sigurisë për 15 persona! Ja sa para përfituan

Mashtronin qytetarët e vendeve të BE-së përmes “call

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për 15 persona të përfshirë në një mashtrim përmes call-centerave duke përfituar një shumë prej 5 milionë eurove.

Masa e sigurisë në mungesë është dhënë për 9 shtetas italianë dhe 1 shqiptar, të cilët rezultojnë se janë jashtë territorit të Shqipërisë.

Ndërkohë policia bëri të mundur arrestimin e një 30-vjeçari shqiptar, me iniciale A.L. si i përfshirë në këtë veprimtari.

Autoritetet janë në kërkim të katë shtetasve të tjerë shqiptarë për të cilët nuk japin ende asnjë të dhënë zyrtare.

Këta shtetas janë zbuluar në një rrjet call-centerash ku mashtronin qytetarët e shteteve të BE-së për të bërë transferta bankare drejt Shqipërisë, duke përvetësuar një shumë prej 5 milionë eurove.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarive kriminale që kryhen nëpërmjet call center-ave, me qëllim përfitimin.

Operacioni policor i koduar “Transferta”, si rezultat i një hetimi tremujor, me metoda speciale, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Hetimin Tatimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Mashtronin qytetarët e BE-së, nëpërmjet 15 subjekteve call center, për të bërë transferta parash drejt Shqipërisë, me vlerë totale rreth 5 milionë euro, Gjykata cakton masa sigurie për 15 shtetas, nga të cilët 9 shtetas italianë dhe 6 shtetas shqiptarë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, të DVP Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale të kryera nëpërmjet subjekteve call center, mbështetur nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Hetimin Tatimor, referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila regjistroi procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Bazuar në provat e siguruara nga hetimi tremujor, me metoda speciale, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg“, për 15 shtetas, nga të cilët 9 shtetas italianë dhe 6 shtetas shqiptarë.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës për ekzekutimin e masave të sigurisë, si rezultat i verifikimeve të kryera në sistemin TIMS, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, të DVP Tiranë, ka rezultuar se 9 shtetasit italianë dhe 1 shtetas shqiptar, nuk ndodhen në Shqipëri.

Ndërkohë, nga kontrollet e kryera në banesat e shtetasve shqiptarë, ndaj të cilëve Gjykata e Tiranës ka caktuar masa sigurie, shërbimet e Policisë kapën dhe ndaluan shtetasin A. L., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e 4 shtetasve të tjerë shqiptarë, ndaj të cilëve është caktuar masa  e sigurië “Arrest në burg”.

Gjithashtu, po bashkëpunohet edhe me homologët italianë, për kapjen e 9 shtetasve italianë dhe të një shtetasi shqiptar, autorë të dyshuar për këtë veprimtari kriminale, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.

Me qëllim ruajtjen e konfidencialitetit të hetimit, nuk mund të bëjmë të ditura gjeneralitetet e shtetasve ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie.

Operacioni policor “Transferta”, vijon.