AKTUALITET, 9 Maj 2025, 15:32

Masat e policisë në zgjedhje/ Mbi 5 mijë efektivë në terren, 150 metra larg qendrave të votimit

Masat e policisë në zgjedhje/ Mbi 5 mijë efektivë në

Mbi 5 mijë punonjës policie janë angazhuar për ruajtjen e objekteve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që mbahen këtë të diel të 11 majit. Uniformat blu kanë marrë në ruajtje KZAZ-të, që në momentin që në to kanë shkuar materialet zgjedhore.

Të shtunën paradite, efektivët që janë planizuar në ruajtjen e qendrave të votimit, fillimisht instruktohen dhe më pas shpërndahen në qendrat ku janë vendosur për të kryer shërbim. Në të gjithë vendin janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 5225 objekte që do shërbejnë si Qendra Votimi, ditën e votimit, merren në ruajtje nga Policia e Shtetit ditën e shtunë.

Të dielën e 11 majit, ditën e votimit, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e policisë tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.

Sipas ligjit, çdo punonjës policie ditën e zgjedhjeve duhet të qëndrojë 150 metra larg qendrave të votimit. Ndërhyrja e efektivëve brenda dhe jashtë qendrave të bëhet vetëm me kërkesë të komisioneve të qendrave të votimit, të koordinatorëve, KZAZ-ve dhe të KQZ-së. Ndërsa në orën 18:00 të së dielës, shërbimet e Policisë marrin në ruajtje të gjitha vendet e numërimit të votave dhe do të qëndrojnë aty deri në përfundim të procesit.