AKTUALITET, 7 Qershor 2025, 20:43

Masa të jashtëzakonshme sigurie në “Air Albania” për ndeshjen Shqipëri–Serbi: Helikopterë patrullojnë mbi stadium

Masa të jashtëzakonshme sigurie në “Air Albania”

Në prag të përballjes së shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë masa sigurie në kufijtë e të jashtëzakonshmes për të garantuar mbarëvajtjen e eventit dhe sigurinë e tifozëve.

Stadiumi “Air Albania” dhe perimetri përreth tij janë blinduar me forca të shumta policie, njësi speciale dhe patrulla të ndërhyrjes së shpejtë. Në rrugët që të çojnë drejt stadiumit është vërejtur një prani e shtuar e policisë, ndërsa janë ngritur postblloqe dhe pika kontrolli për të filtruar çdo lëvizje të dyshimtë.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve është patrullimi nga ajri. Një helikopter i kuq i Policisë së Shtetit është parë duke fluturuar vazhdimisht mbi stadium, si pjesë e një operacioni të veçantë për kontrollin ajror të situatës. Fluturimet janë bërë në lartësi të ulët për të monitoruar çdo zhvillim nga një tjetër këndvështrim strategjik, duke shtuar më tej nivelin e sigurisë.

Këto masa vijnë si pjesë e protokolleve të posaçme për ndeshje me rrezikshmëri të lartë, duke marrë parasysh tensionet historike që kanë shoqëruar përballjet mes dy kombëtareve dhe rëndësinë simbolike të këtij dueli për publikun shqiptar.

Autoritetet kanë bërë thirrje për maturi dhe respekt të rregullave nga të gjithë tifozët, duke theksuar se siguria dhe sportiviteti janë prioriteti kryesor i kësaj mbrëmjeje të rëndësishme për futbollin dhe imazhin e vendit.