TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Atmosfera në stadiumin “Air Albania” është ndezur jo vetëm nga emocionet e një sfide të shumëpritur si Shqipëri-Serbi, por edhe nga një simbolikë e fuqishme kombëtare: prania në tribunat e stadiumit e dy përfaqësuesve të familjes heroike Jashari, Ademit dhe Hamzës, të rinj që mbajnë emrat e figurave legjendare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem dhe Hamëz Jashari.

Të veshur me fanella ku spikat portreti i heroit kombëtar Adem Jashari, të dy janë përshëndetur ngrohtësisht nga tifozët shqiptarë, të cilët kanë shpërthyer në brohorima dhe duartrokitje në momentin e njohjes së tyre në tribunë. Figura e Ademit, e fiksuar në një fotografi që tashmë po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale, është bërë virale, duke ngjallur reagime të shumta emocionale dhe vlerësime për mesazhin e fuqishëm që përçon kjo prani në një event sportiv kaq të rëndësishëm.

Për shumë tifozë, kjo ishte më shumë sesa një ndeshje futbolli – ishte një moment krenarie, bashkimi dhe rikujtimi i sakrificave historike të popullit shqiptar. Në rrugët e Tiranës, qytetarët janë ndalur pranë pankartave dhe fotografive të komandantit legjendar Adem Jashari, të vendosura në pika kyçe të qytetit, duke i dhënë kryeqytetit një atmosferë solemne e madhështore.

Prania e pjesëtarëve të familjes Jashari në “Air Albania” ka shërbyer si një mesazh i qartë i unitetit kombëtar dhe respektit për historinë – një kujtesë se për shqiptarët, sporti dhe atdhedashuria ecin krah për krah, në çdo arenë ku valon flamuri kuqezi.