TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Disa dhjetëra qytetarë të zonës së Lezhës, Laçit dhe Rrëshenit i janë bashkuar thirrjes së Dom Gjergj Metës për një marshim homazh në Shëngjin, në përkujtim të vogëlushes Jonada Avdia që gjeti vdekjen në plazhin e Potamit, ku u përplas nga gomonia e drejtuar nga komisari Arjan Tase.
Gazetari Elidon Ndreka raportoi se nisja e qytetarëve përkrah anëtarëve të Dioqezës së Lezhës dhe Rrëshenit u bë nga oborri i Kishës së Shëngjinit me lule dhe qirinj në dorë drejt bregdetit.
Marshimi nisi në orën 19:00, ndërsa në breg të detit u ndezën qirinj dhe është thënë një lutje nga të pranishmit për vogëlushen që sipas Dom Gjergjit humbi jetën si pasojë e papërgjegjshmërisë së institucioneve.
“At, ai është Ati i të gjithë neve dhe Ati i Jonadës së Vogël që humbi jetën por edhe lutja për familjen e saj”, tha Dom Gjergj Meta para thënies së lutjes për 7-vjeçaren.
Ishte Lejla, një vajzë 6 vjeçe, në moshën e Jonadës së vogël që ka hedhur e para lulet në det dhe më pas të gjithë qytetarët pas saj, duke ndezur edhe qirinjtë.
Në tubim ka marrë pjesë edhe deputetja e Partisë Demokratike, Lindita Metaliaj, përkrah vajzës së saj të vogël.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme Policia e Lezhës dhe ajo e Bregdetit ka ushtruar disa kontrolle në vijën bregdetare për të ndaluar përdorimin e mjeteve lundruese përreth plazheve në Adriatik.
Kjo, pasi distanca prej 300 metër largësi nga bregu që frekuentojnë pushuesit për mjetet ujore, nuk respektohet.