AKTUALITET, 3 Gusht 2022, 18:42

“Historia e Ilir Metës si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit është falsifikim”/ Gazetari: Nuk ka dosje për ta provuar! Për emrin e përmendur, ka mungesë informacionesh

“Historia e Ilir Metës si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit

Gazetari Ferdinand Dervishi e ka konsideruar falsifikim historinë e përfshirjes së emrit të Ilir Metës, si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

Në një intervistë për Euronews Albania, Dervishi ka sqaruar se bëhej fjalë për një person tjetër me emrin Ilir Meta teksa tregon historinë që sipas tij është e vërteta.

Dervishi e mbështet argumentin e tij në faktin se në dosjet që janë në arkivat e shtetit, nuk përmenden informacione të tjera përveçse emrit dhe mbiemrit, duke e lënë këtë histori shumë evazive.

“Ajo që neve mund të themi pas asaj çfarë na ndodhi është që, i gjithë rezultati i kësaj strukture të vonuar në 2016-ën, ishte historia e Ilir Metës. I gjithë malli, u harxhuan miliona euro dhe na dha këtë rezultat, u publikua një ose dy ditë pasi ai kishte ikur si President. Na u dha me një denoncim të bërë në datën 1 ta zëmë dhe në datën dy na doli gjithë informacioni se brenda 24 orësh paska funksionuar zinxhiri perfekt. Ndërkohë që historia e Ilir Metës është një falsifikim.

Po e them këtu për herë të parë, është një falsifikim total. Le të flasim me terma, jo me emra. Le të flasim me termat ‘viktima’ dhe ‘denoncuesi’. Në një shkollë ‘x’, një person që është ‘viktima’ i thotë një mikut të vetë i quajtur Ilir Meta që unë dua të iki jashtë shtetit dhe se ti do më ndihmosh mua sepse ti banon në një zonë që ka kufij tokësorë me një shtet fqinj. Skrapari nuk ka kufij tokësorë me një shtet fqinj.

Pra bëhet fjalë për një Ilir Meta diku nga zonat e Librazhdit. Pra çfarë ndodh, ky bën një denoncim tek operative i zonës. Sigurimi i Shtetit vepron ndryshe, nuk merret me denoncuesin por me viktimën. E merr viktimën dhe e bën bashkëpunëtor. Dhe në dosjen e këtij bashkëpunëtori, gjendet dhe ky denoncim. Pra në asnjë rast nuk kemi një Ilir Metë që është ky që flasim. Në asnjë rast nuk kemi një person që është bashkëpunëtor. Kjo është historia në të vërtetë” – tha Dervishi.

Kur bëhet denoncimi, si e depoziton atë, me emër mbiemër, apo dhe emrin e babait?

“Sigurisht që me emër dhe mbiemër. Se do të kishte dalë dokumenti me emër, mbiemër dhe emër babai. Do ishte nxjerrë. Nuk ka dokument të tillë. Të gjithë këto komisionet, janë të bazuar në një listë të hartuar nga Bashkim Gazidede të emrave të bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Nuk kanë as emrin e babait. Janë bazuar që të gjithë. Aktualisht, dosje të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit në arkivat shqiptare numërohen me gishtat e dorës. Pra ata kanë qenë me qindra dhe dosje në arkivat e shtetit për bashkëpunëtorë janë thuajse zero. Kemi një listë dhe marrim një emër nga kjo listë dhe themi se ky është bashkëpunëtor, por pa e mbështetur në një dosje dhe pa e provuar. Por për këtë emër nuk ke asnjë informacion tjetër, as datëlindje, as emër babai. Pra ky është problem më i madh që ka dale” – u shpreh gazetari.