AKTUALITET, 7 Gusht 2023, 13:18

"Mal korrupsioni në qendër të Tiranës, i mbuluar nga “omertà” e bashkëfajësisë mafioze", Basha apelon SPAK-un për hetimin e kullës pas TOB-it

"Mal korrupsioni në qendër të Tiranës, i mbuluar nga
Kulla e re në Tiranë dhe Lulzim Basha

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në reagimin e dytë brenda më pak se një dite, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion të hetojë kullën që po ndërtohet pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Basha u shpreh se “mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i mbuluar nga “omertà” e bashkëfajësisë mafioze, është një karshillëk ndaj të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mos lejojnë që Shqipëria të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave.”

Reagimi i Bashës:

Mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i mbuluar nga “omertà” e bashkëfajësisë mafioze, është një karshillëk ndaj të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mos lejojnë që Shqipëria të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave dhe miqve të tyre në politikë dhe nga ana tjetër e shndërron vendin tonë në një ferr pandershmërie dhe pandëshkueshmërie për qytetarët që kërkojnë standarde europiane për të ndërtuar jetët e tyre dhe familjeve të tyre.

Kjo “omertà”, ky kod i heshtjes, prodhon një ekonomi të deformuar, që nuk pasqyron forcat normale të tregut, që gjymton konkurrencën, iniciativën e lirë, besimin te institucionet, të cilat shihen si legjitimuese të krimit dhe korrupsionit.

Detyra jonë si Parti Demokratike është të mposhtim këtë heshtje shurdhuese që dëmton interesin publik, sa herë interesat e kastës 33 vjeçare bëhen bashkë si dy duar që lajnë fytyrat e nxira nga korrupsioni.


Prandaj sot dua të përsëris mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike ndaj SPAK-ut, mbi të cilin bie barra e rëndë e hetimit dhe ndëshkimit të të gjithë atyre që e kanë kthyer Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave, e cila nuk dëmton vetëm ekonominë, por edhe trashëgiminë, kujtesën historike, hapësirën publike, të kthyera në plaçkë për fare pak njerëzve.

Pastrimi i politikës përmes vetting-ut, është domosdoshmëri për t’i dhënë fund epokës së korrupsionit, që politikanët të mos jenë në shërbim të oligarkëve dhe interesave kriminale, por t’u shërbejnë qytetarëve dhe interesit publik.